Uglesha Jarediq, Fotografi e realizuar me 23 shtator 2023 rreth ores 16:39, Foto: KALLXO.com

Grupi terrorist dyshohet se u nis nga Novi Pazari për në Banjskë pasditen e 23 shtatorit

Paramilitarë serbë, të uniformuar e të armatosur deri në “dhëmbë”, pretendohet se kanë hyrë në territorin e Kosovës menjëherë pas mesnatës së 24 shtatorit nga pika kufitare e quajtur “Izvor” nga një rrugë më e shkurtër që lidh Novi Pazarin (në Serbi) dhe fshatin Banjskë të Zveçanit.

Në një dokument që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ua ka dorëzuar institucioneve të tjera jepen detaje edhe rreth kohës kur grupi terrorist udhëtoi drejt Kosovës.

Diku 10 orë para se të bëhej sulmi fillestar me një granatë kundër këmbësorisë me teledirigjim, e cila shpërtheu rreth orës 2:30 të mëngjesit të 24 shtatorit, grupi terrorist në uniforma e i armatosur ishte nisur nga Novi Pazari drejt Banjskës.

Detajet që janë përdorur në dokumentin e MPJ-së tregojnë edhe se kanë arritur që të nxjerrin fotografi dhe materiale të tjera nga telefonat e pjesëtarëve të grupit terrorist që u ishin gjetur në Banjskë.

Në njërën nga materialet e nxjerra nga njëri prej telefonave të njërit nga pjesëtarët e grupit terrorist shihet në fotografi edhe ish-shefi i Njësive Speciale në veri të Mitrovicës, Uglesha Jarediq.

Fotografia, sipas të dhënave të MPJ-së, është realizuar rreth orës 16:39 me datë 23 shtator. Fotografia është realizuar gjatë kohës sa grupi ishte nisur nga Novi Pazari për në Banjskë.

Madje në dokument përmendet edhe se njëri nga të arrestuarit për rastin e Banjskës ka deklaruar se rrugëtimi i tyre nga Novi Pazari drejt Banjskës është bërë në mënyrë të organizuar. Distanca mes kufirit dhe Banjskës është diku rreth 14 kilometra.

Operacioni i sulmit terrorist u udhëhoq nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq.

Ai vetëm pak ditë pas sulmit terrorist me anë të një letre të cilën e lexoi avokati i tij, kishte marrë përgjegjësinë për sulmin, organizimin dhe logjistikën duke thënë tutje edhe se pas këtij rasti jep dorëheqje nga pozicioni i tij brenda partisë serbe që funksionon në Kosovë, Lista Serbe.

Ani pse Millan Radoiçiq ishte nënkryetar i LS-së, ai ishte i njohur për drejtësinë e Kosovës.

Në kohën kur kishte hyrë në Banjskë për të ekzistonte një urdhër ndalese në lidhje me rastin Brezovica.

Madje Kallxo.com disa orë para se të ndodhte sulmi në Banjskë publikoi për herë të parë ekskluzivisht pamjet e arratisjes së Radoiçiqit nga pika kufitare në Bërnjak, ngjarje kjo e cila kishte ndodhur vitin e kaluar.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme edhe se ish- shefi i Njësive Speciale në veri të Mitrovicës, Uglesha Jarediq, ishte një nga pjesëmarrësit apo edhe organizator i grupit terrorist dhe sulmit terrorist në Banjskë.

Në dokumentin që Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës e ka dorëzuar tek institucionet e Kosovës, emri i Jarediqit përmendet si i përfshirë në këtë rast.

Për të dokumentuar përfshirjen e tij Ministria ka përdorur një fotografi ku Jarediq shihet në një makinë bashkë me dy persona të tjerë.

Kanë kaluar më shumë se një muaj që kur u regjistrua sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit.

Rreshteri policor Afrim Bunjaku u vra në orët e hershme të mëngjesit të asaj dite nga një granatë kundër këmbësorisë, e cila ishte vendosur afër dy kamionëve të cilët grupi i kishte përdorur për të bllokuar rrugën  që çon në brendi të fshatit Banjskë.

Rreshteri Bunjaku së bashku me disa kolegë të tjerë kishin shkuar aty pasi fillimisht kishin pranuar një informacion për vendosjen e barrikadave në urë.

Menjëherë pas shpërthimit, ekipe të shumta të Policisë ishin nisur drejt Banjskës, me ç’ rast rreth orës 4 e tutje, kishte vazhduar edhe sulmi i radhës ndaj ekipeve të tjera policore që kishin shkuar për t’iu përgjigjur rastit.

Dosja: Ish-shefi i Specialëve të Policisë së Kosovës për veriun i përfshirë në grupin e Banjskës

www.kallxo.com