Badovc

Foto: Denis Sllovinja/KALLXO.com

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit me kërkesa për Komunën e Prishtinës

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit që në ‘Facebook’ numëron rreth 27 mijë anëtarë, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Komunës së Prishtinës kanë paraqitur tri kërkesa, në lidhje me ndërtimet në Liqenin e Badovcit.

Kërkesat vijnë pasi ky grup ka filluar organizimin për të mos lejuar ndërtimin e disa shtëpive banimi afër Liqenit.

Këto janë kërkesat:

  1. Të anulohet Vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me Nr. Prot. A-76/2019 i datës 27.06.2019 me të cilin shfuqizohet vendimi i Komunës me të cilin palës i refuzohet kërkesa për dhënien e kushteve ndërtimore për Lagjen në Badovc.
  2. Të pezullohen të gjitha vendimet dhe procedurat për dhënien e: Kushteve Ndërtimore dhe Lejeve Ndërtimore ën Zonën I, II dhe III mbrojtëse të Badovcit deri në nxjerrjen e dokumenteve të reja të planifikimit (Hartës Zonale, Planit Zhvillimor Komunal dhe Planeve Rregulluese të Hollësishme).
  3. Të fillohen procedurat që në zonën përreth Liqenit të Badovcit ta shpallni peizazh të mbrojtur duke u bashkuar me Peizazhin e Mbrojtur të Gërmisë dhe në vendim të shënohet që ndalohen të gjitha llojet e ndërtimeve në këtë zonë.

Asambleja e Prishtinës nesër seancë të jashtëzakonshme për projektin për lagjen buzë Liqenit të Badovcit

Të gjitha partitë në Komunën e Prishtinës si rrallë herë janë shprehur kundër ndërtimeve në liqenin e Badovcit.

Halim Halimi nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se qytetarët duhet t’i lexojnë në foltore kërkesat e tyre sepse këto ndërtime më shumë i prekin ata.

“Sa i përket leximit të kërkesave nga ana e qytetarëve, nuk shoh kurrfarë problemi, sepse qytetarët na kanë dhënë votën. Qytetarët janë të shqetësuar, për paralajmërimet për ndërtime në Badovc. Duhet ta kemi parasysh që kemi të bëjmë me zone të interesit të veçantë”, ka thënë Halimi.

Edhe Eman Rrahmani nga Vetëvendosje është pajtuar që qytetarët t’i lexojnë kërkesat e tyre rreth ndërtimeve në Badovc.

“Përfaqësuesit të grupit të rreth 30 mijë njerëzve duhet ti jepet fjalë. Jemi dakorduar me partitë tjera që qytetarët ti lexojnë kërkesat”, ka thënë ai.

Edhe përfaqësuesit e PSD, partisë që momentalisht udhëheq Prishtinën kanë shprehur gatishmërinë t’i dëgjojnë qytetarët dhe kërkesat e tyre.

KALLXO.com kishte raportuar se një kompani private po planifikon ndërtimin e një lagjeje banimi afër Liqenit të Badovcit.

Për këtë kishte reaguar i pari i kryeqytetit Shpend Ahmeti fillimisht duke thënë se nuk ka leje ndërtimore  e më pas Komuna kishte sqaruar se pas presionit nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kishte lëshuar kushtet e ndërtimit.

Partitë opozitare në Komunën e Prishtinës janë deklaruar kundër ndërtimit të një lagjeje banimi buzë Liqenit të Badovcit.

“LDK-ja nuk mendon që aty duhet të jepet leje ndërtimi dhe nëse vjen në Kuvend, ne do ta votojmë kundër”, ka thënë Asambleisti i LDK-së në komunën e Prishtinës, Agim Gashi.

Ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës kishte mbajtur një konferencë për të kundërshtuar një projekt të tillë.