Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit me kërkesa për Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit

Grupi për mbrojtjen e Liqenit të Badovcit që në ‘Facebook’ numëron rreth 24 mijë anëtarë, ka dalë me pesë kërkesa për Komunën e Prishtinës dhe Ministrinë e Mjedisit dhe Planikimit Hapësinor, në lidhje me ndërtimet në Liqenin e Badovcit.

Kërkesat vijnë pasi ky grup ka filluar organizimin për të mos lejuar ndërtimin e disa shtëpive banimi afër Liqenit.

 

Këto janë kërkesat:

  1. Të anulohet Vendimi i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor me Nr. Prot. A-76/2019 i datës 27.06.2019 me të cilin shfuqizohet vendimi i Komunës me të cilin palës i refuzohet kërkesa për dhënien e kushteve ndërtimore për Lagjen në Badovc.
  2. Të anulohet Vendimi i Komunës së Prishtinës i datës 26.12.2019 për caktimin e kushteve ndërtimore për ndërtimin e Lagjes në Badovc.
  3. Të harmonizohen aktet nënligjore, që rregullojnë mbrojtjen e zonave ujore: Vendimi i Qeverisë se Kosovës 16/127 për Badovcin, Udhëzimin Administrativ për Normat Teknike te Planifikimit Hapësinor dhe Udhëzim Administrativ MMPH – Nr.28/2014 Për Zonat e Mbrojtura Sanitare, me Ligjin Nr. 04/l-147 Për Ujërat e Kosovës.
  4. Të fillohen procedurat që zonën për rreth Liqenit te Badovcit ta shpallim peisazh të mbrojtur duke e bashkuar me Peisazhin e Mbrojtur të Germisë dhe në vendim te shënohet që ndalohen të gjitha llojet e ndërtimeve në këtë zonë.
  5. Të ndalohet planifikimi i lagjeve dhe objekteve turistike në zonat për rreth liqeneve akumuluese dhe te merren masa të menjëhershme, për largimin e objekteve ilegale dhe legale qe janë ndërtuar brenda zonës se dytë mbrojtëse (210 metra) të liqeneve akumuluese.

Ndërsa opozita në Komunën e Prishtinës ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve, për të iniciuar mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal në Prishtinë, për të diskutuar për Liqenin e Badovcit.

Opozita në Prishtinë kërkon seancë të jashtëzakonshme për Liqenin e Badovcit

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.