Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Grupi parlamentar i LVV-së: Në shkelje nuk është deputetja Vrenezi, por Prokuroria e Prizrenit

Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar pas dënimit të deputetes Jetmire Vrenezi me 3 vite burgim për keqpërdorim detyre gjatë kohës sa ishte zyrtare në Komunën e Prizrenit.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, në emër të Grupit Parlamentar, ka komentuar dënimin e deputetes Jetmire Vrenezi.

Rrustemi ka thënë për KALLXO.com se deputetja Vrenezi do të shfrytëzojë të drejtën e apelimit të këtij vendimi.

“Ne e dimë që prej se ka qenë në drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Prizrenit si arkitekte e zonja dhe e re ajo së bashku me kolegët e saj nuk kanë lejuar që paligjshmëria të vazhdonte dhe amnistoheshin grupet biznesore vetëm pse kanë qenë të fuqishëm financiarisht dhe me pushtet”, tha ai.

Rrustemi shtoi se vendimi për prishjen e objektit të “paligjshëm” ka qenë i drejtë, parimor dhe në shërbim të interesit publik.

“Siç kemi deklaruar asokohe themi edhe tash, në shkelje nuk është deputetja Vrenezi e as kolegët e saj, por Prokuroria e Prizrenit që i doli në krah paligjshmërisë”, tha ai.

Gjatë ditës së sotme deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Jetmire Vrenezi është dënuar me 3 vite burgim dhe me 2 mijë euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda nën akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërkaq, në cilësi të avokatit të deputetes Vrenezi, Urim Vokshi, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, tha se posa ta pranojnë vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren të njëjtin do ta atakojnë mbi bazën e argumenteve të qarta në Gjykatën e Apelit.

Dënimi me 3 vite burgim i deputetes së LVV-së, çka thotë rregullorja e Kuvendit?