Grupi i LVV-së shpalos performancën e sesionit pranveror të Kuvendit

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka përmbledhur punën e sesionit pranveror të Kuvendit të Kosovës, derisa kryetarja e këtij grupi, Mimoza Kusari Lila deklaroi se mbetet synim i tyre rritja e performacnës.

“Ka shumë punë për të bërë për t’u rritur ekspertiza në grupe punuese dhe më shumë angazhim në dëgjime publike në shtresa të ndryshme shoqërore” – tha ajo duke shtuar se kanë shumë punë në mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.

Kusari Lila tha se mbeten të përkushtuar në rritjen e punës për performancë sa më të mirë të institucioneve dhe trupave që i raportojnë Kuvendit.

Sipas Kusari Lila, Kuvendi gjatë këtij sesioni ka thyer rekordin me miratimin e ligjeve që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

“Janë miratuar 87 ligje në të dy leximet dhe 18 marrëveshje ndërkombëtare. Kjo nënkupton bashkëpunim e pozitës dhe opozitës në miratimin e këtyre marrëveshjeve” – tha ajo, duke shtuar se do të punojnë që niveli i punës së Kuvendit të kthehet në shembull.

Adnan Rrustemi kryetar i Komisionit për Legjislacion tha se shumë nga këto ligje të miratuara janë jetike për qytetarët e Kosovës.

“Për herë të parë pas shumë viteve u miratua rregullorja e Kuvendit të Kosovës” – tha në mes tjerash deputeti Rrustemi.

Sipas tij ka nevojë për më shumë punë dhe ekspertizë në grupe punuese.

Gjatë kësaj konference, Kusari Lila tha se ligji i pagave dhe ligji për zyrtarët publikë parashihen që të trajtohen në sesionin vjeshtor.

Ndërkaq, kodi civil, sipas saj është parapa të përcillet në Qeveri e pastaj në Kuvend që nga fillimi i sesionit vjeshtor.

“Sa i përket kodit civil kemi është e vërtetë që kemi mendime të ndryshme në grup. Është dokument që duhet të thjeshtësohet. Projekt kodi civil rregullon jetën e qytetarëve që nga lindja deri në vdekje është tepër e rëndësishme të kuptohet drejtë miratimi i këtij ligji” – tha ajo.