Shtëpia e viktimës Lirije Qerimaj dhe e bashkëshortit të saj, të pandehurit Skënder Qerimaj në LLaushë - Foto: KALLXO.com

Grupi i grave deputete të Kosovës kërkon dënim maksimal për vrasësin e 48-vjeçares në Llaushë

Grupi i grave deputete të Kosovës ka kërkuar dënim maksimal për vrasësin e Lirije Qerimajt.

48-vjeçarja është vrarë më 5 dhjetor në Llaushë të Skenderajt. Për vrasjen e saj po dyshohet burri i saj Skënder Qerimaj.

Grupi po ashtu ka thënë se duhet të kërkohet përgjegjësi nga zyrtarët që sipas tyre e neglizhuan këtë rast.

“Femicidi vrasja e grave po thellohet si plaga më e rëndë e shtëtit tonë. Këto raste po marrin përmasa pandemike e ne duhet t’i trajtojmë sa më shpejt”, është thënë në reagimin e GGD-së.

Në po të njëjtin njoftim është thënë se krimi nuk rëndon vetëm mbi kryerësin e veprës, por edhe mbi institucionet që ishin të paralajmëruara nga vetë viktima.

“Sipas informatave të publikuara, ajo kishte kërkuar mbrojtje të cilën nuk ia kishin ofruar Policia”, është thënë tutje.

GGD shtoi se dhuna në familje e dhuna ndaj grave nuk ka pushim dhe as institucionet nuk duhet ta përdorin pushimin si arsyetim.

“Nuk ka pushim kur ka potencial për vrasje”, u tha në reagimin e GGD-së.

48-vjeçarja Lirije Qerimaj u vra më 5 janar e dorasi dyshohet të jetë burri saj, Skënder Qerimaj.

Në dosjen e Prokurorisë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit thuhet se Lirije Qerimaj më 1 janar 2022 në stacionin policor në Skenderaj kishte ushtruar kallëzim penal ndaj Skënder Qerimajt për dhunë në familje.

Në po të njëjtën ditë ajo kishte kërkuar mbrojtje nga shteti pas dhunës nga burri i saj, ndërsa kërkesa për mbrojtje ishte dorëzuar në ditën kur ajo u vra, më 5 janar.

Kështu ka deklaruar Hatixhe Latifi nga Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë – Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit në Mitrovicë për KALLXO.com.

Latifi ka thënë se më 1 janar e kishin ftuar në stacionin policor pasi ankuesja Lirije Qerimaj kishte raportuar për dhunë në familje.

“Unë kam qenë kujdestare më 1 janar. Policia e dhunës në familje në Skenderaj më kanë kontaktuar, edhe viktima është ankuar për dhunë psikike. Mandej është kthy në shpi ajo me pajtimin e familjarëve. Djali ka garantu që nana ka me u kthy në shpi se nuk janë ato fjalë që po i folë baba”, kishte thënë Latifi për KALLXO.com.

“Atë ditë ka qenë e shtunë, mandej ka qenë e diel, e hënë, e martë – festë. Të mërkurën jua përcjellim rastin edhe vazhdoni me kërkesë për urdhër mbrojtje. Unë thashë OK se të mërkurën fillon punën gjykata edha na”, kishte vazhduar ajo.

Për këtë ngjarje një shpjegim e ka dhënë edhe Komandanti i stacionit policor në Skenderaj, Muhamet Kajtazi.

Kajtazi është kontaktuar nga KALLXO.com kur edhe ka dhënë shpjegimin e tij se pse Policia nuk ka kërkuar masën mbrojtëse për Lirije Qerimajn.

Kajtazi tha se nuk kanë pasur ndonjë indikacion se rasti do të përfundojë në këtë mënyrë pasi gruaja ishte kthyer te burri i saj pas raportimit për dhunë në familje.

“Policia kur është diçka emergjente edhe në festa edhe pushime i kryen punët menjëherë. Në këtë rast qysh është raportuar me datën 1, qysh janë biseduar gjërat me datën 1, nuk ka dhënë indikacione që ka pasur diçka emergjente. Të gjitha veprimet policore janë ndërmarrë vetëm se nuk është interpretuar nga askush që është diçka emergjente, as viktima nuk e ka dhënë bindjen që është diçka emergjente”, kishte thënë Kajtazi për KALLXO.com.

Gjatë ditës u mbajtë edhe një protestë në Skenderaj ku është kërkuar nga Organizata “Gratë Intelektuale të Drenicës” shkarkimi i komandantit të Policës.