Largimi i afganëve nga Kosova - Foto: Xhelal Sveçla/ Facebook

Grupi i fundit i afganëve largohen nga Kosova

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka bërë të ditur se sot është larguar nga Kosova grupi i fundit i afganëve që po strehoheshin në kampin “Bechtel” në Ferizaj.

“Sot përcollëm nga Kosova grupin e fundit të qytetarëve afganë të cilët ishin të akomoduar në kampin ‘Bechtel’ në Ferizaj. Si Qeveri e Republikës së Kosovës dhe si Ministri e Punëve të Brendshme, kemi pranuar të marrim përsipër këtë proces pa asnjë dilemë dhe me përgjegjësi të lartë”, ka thënë Sveçla.

Sveçla potencoi se falë bashkëpunimit me SHBA-në, NATO-n dhe aleatët janë në finalizim të këtij procesi.

“Falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe aleatët tanë, jemi drejt finalizimit të suksesshëm të këtij procesi. Jemi angazhuar maksimalisht bashkë me partnerët tanë që çdo kërkesë e të strehuarve të plotësohet në afat optimal dhe të sigurojmë mirëqenie e kushte të mira për të gjithë”, ka thënë tutje Sveçla.

Mbi 1,300 shtetas afganë kanë gjetur strehim në Kosovë qysh nga muaji gusht i vitit 2021.

Afganët e vendosur në Kosovë raportohet se kanë qenë kryesisht bashkëpunëtorë të SHBA-së dhe NATO-s, gjatë pranisë së tyre në Afganistan, nga viti 2001 deri më 2021.