Grupi gjerman i mbrojtjes mund t'i dorëzojë 139 tanke Leopard për Ukrainën

Grupi gjerman i mbrojtjes Rheinmetall mund t’i dorëzojë 139 tanke luftarake Leopard në Ukrainë nëse kërkohet, ka deklaruar një zëdhënës i kompanisë për grupin mediatik RND.

Gjermania është nën presion të madh nga Ukraina dhe disa aleatë të NATO-s, si Polonia, për të lejuar që Kievi të furnizohet me tanke Leopard 2 të prodhimit gjerman për mbrojtjen e tij kundër pushtimit rus.

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se Gjermania nuk po e bllokon eksportin e tankeve Leopard 2.

Presioni po rritet mbi Gjermaninë për ta furnizuar Ukrainën me tanket e saj pasi dështoi në marrjen e një vendimi në një samit ndërkombëtar të mbrojtjes të shumëpritur në bazën ushtarake amerikane të Ramstein në Gjermaninë jugperëndimore të premten.

Rieksporti i tankeve të prodhuara në Gjermani duhet të miratohet nga ministria e saj e ekonomisë.

Borrell e përshkroi gjithashtu paketën e re të ndihmës ushtarake të BE-së për Ukrainën me vlerë 500 milionë euro, pasi 27 ministrat e jashtëm të bllokut u takuan të hënën në Bruksel. Paketa u miratua së bashku me 45 milionë euro të tjera për misionin e trajnimit ushtarak të BE-së për Ukrainën. Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, tha se vendi i tij nuk do ta bllokojë vendimin e BE-së.

Komenti i Ministres së Jashtme gjermane Annalena Baerbock të dielën se vendi i saj nuk do të “dalë si pengesë” që Polonia të dërgonte tanke Leopard në Ukrainë, ka shkaktuar një konfuzion në Berlin.

Për momentin, mbetet e paqartë nëse vërejtjet e saj janë indikacion i një ndryshimi në pozicionin e qeverisë apo thjesht një përpjekje e partisë së Gjelbër për ta korrigjuar strategjinë e gabuar të komunikimit të kancelarit Olaf Scholz.

Polonia ka përsëritur se është e gatshme të dërgojë tanke në Ukrainë pa pëlqimin e Gjermanisë.

Kryeministri polak, Mateusz Moraëiecki, tha se qeveria e tij do të kërkojë leje nga Berlini për t’i dërguar tanket e veta Leopard në Ukrainë, por e përshkroi atë pëlqim si “të rëndësisë dytësore”.

Mirëpo një zëdhënës i qeverisë gjermane tha se Berlini nuk e ka pranuar asnjë kërkesë nga Polonia apo ndonjë vend tjetër për ta autorizuar një transferim të tillë.

Kremlini zyrtar ka paralajmëruar se populli i Ukrainës do ta “paguajë çmimin” nëse perëndimi vendos të dërgojë tanke për ta mbështetur këtë të fundit.

Zëdhënësi i qeverisë ruse Dmitry Peskov tha se përçarjet në Evropë lidhur me sigurimin e tankeve për Kievin treguan se kishte një “nervozizëm” në rritje brenda aleancës së NATO-s.

Peskov e hodhi poshtë gjithashtu njoftimin e Uashingtonit se po planifikon të vendosë sanksione ndaj mercenarit privat rus Wagner Group.

Forcat ruse vazhdojnë të “përballojnë ngërçin operacional dhe viktima të rënda”, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar. Një përditësim i inteligjencës së Ministrisë së Mbrojtjes tha gjithashtu se masat e reja disiplinore të prezantuara nga Valery Gerasimov, shefi i shtabit të përgjithshëm të Rusisë dhe komandanti i sapoemëruar në Ukrainë, ishin pritur me “reagime skeptike”, veçanërisht në përgjigje të vendimit për t’i ndaluar ushtarët të mbanin mjekër.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar të hënën se ndryshimet do të njoftohen menjëherë në qeveri, rajone dhe në forcat e sigurisë pas akuzave për korrupsion gati një vit pas pushtimit të Rusisë.

Gjatë videoadresimit të tij të mbrëmshëm, Zelenskiy nuk i identifikoi zyrtarët që do të zëvendësohen.

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se Moska zyrtare ishte e gatshme të negocionte me Ukrainën në muajt e parë të luftës, por SHBA dhe vendet e tjera perëndimore e këshilluan Kievin kundër kësaj.

Lavrov etha këtë gjatë vizitës së tij në Afrikën e Jugut, ku u takua me ministrin e Jashtëm, Naledi Pandor, një muaj përpara se ushtria e Afrikës së Jugut të organizojë një stërvitje të përbashkët ushtarake me Rusinë dhe Kinën në bregun e saj lindor.

Rusia ka thënë se po i redukton marrëdhëniet diplomatike me anëtaren e NATO-s, Estoninë, duke akuzuar Talinin për “rusofobinë totale”.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha se kjo është në përgjigje të një vendimi të Estonisë për ta zvogëluar madhësinë e ambasadës ruse në Talin. Në solidaritet me Estoninë, Letonia ka njoftuar se do t’i ulë marrëdhëniet e saj diplomatike me Rusinë dhe do të informojë ambasadorin e saj rus që të largohet nga Letonia deri më 24 shkurt.

Gjermania ka filluar t’i lëvizë sistemet e saj të mbrojtjes ajrore Patriot në territorin polak, afër kufirit me Ukrainën, ku do të vendosen për të parandaluar sulmet me raketa të humbura../The Guardian