Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Grupet që janë prioritet për vaksinim në Kosovë

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka treguar se cilat grupe janë prioritet për t’u vaksinuar me vaksinën kundër COVID-19.

Ai në emisionin “Kallxo Pernime” ka thënë se tashmë janë bërë gati edhe listat dhe numri i personave të secilës kategori.

“Për vaksinat e AstraZenecas, pjesa që pritet të vijë përmes COVAX, i kemi të konfirmuara diku rreth 33 mijë e 600 dhe 69 mijë që është pjesa e dytë. Më datën 17 mars është marrë konfirmimi i prodhimit dhe vonesa mund të jetë ditore. Në total janë mbi 100 mijë doza që vijnë në periudhën mars-prill. Ne e kemi programin tonë të vaksinimit, ku prioritet do jenë mjekët, 15 mijë mjekë i kemi në stafin shëndetësor. Prej 33 mijë vaksinave mbulohen të gjithë”, ka thënë Zemaj.

Tutje sipas Zemajt personat mbi 65-vjeç dhe ata me sëmundje kronike janë të përfshirë në lista.

Kurse për bartje të vaksinave nëpër komuna do shfrytëzojnë frigoriferë të vegjël që janë marrë si donacion nga Gjermania.

‘Kemi hartuar edhe listën, mjekët në vijën e parë janë prioritet mbi 13 mijë, personat mbi 65 vjeç janë mbi 166 mijë, popullata me sëmundje kronike rreth 175 mijë. I kemi edhe qendrat e vaksinimit, të cilat do përcillen nëpër komuna, kurse vaksinat do barten me frigoriferë të vegjël si donacion nga Gjermania,” ka shtuar tutje Zemaj.