Kandidati i PDK-së për deputet, Përparim Gruda. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

Gruda (PDK): Procesin e Vetting-ut do ta përmbyllim brenda katër vjetësh

Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda, ka premtuar se me ardhjen e tyre në pushtet do ta përmbyllin çështjen e Vetting-ut brenda mandatit katërvjeçar.

“Ligjin për Vetting-un mund ta bëjmë në vitin e parë, ndërsa Vetting-un komplet e bëjmë për katër vjet.” – u zotua ai në “Debat Përnime”, më 13.01.2025.

Lidhur më këtë proces, Gruda foli edhe për mënyrën se si mund t’i bindin dy të tretat e Kuvendit për t’i miratuar ndryshimet e duhura kushtetuese. “Një Qeveri në krye me Bedri Hamzën”, sipas tij, mund ta bëjë këtë gjë “me mençuri”.

“Në këtë vend janë bërë ndryshime kushtetuese. E, qysh janë bërë këto? Me politikan të ndërgjegjshëm dhe një Kryeministër si Bedri Hamza mundet me siguru shumicën e nevojshme me e realizu këtë proces.” – u përgjigj Gruda.

Ndër të tjera, ai tha se PDK-ja parasheh që Vetting-u të bëhet pas diskutimeve me Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial – duke i marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, si dhe duke bashkëpunuar me miqtë ndërkombëtarë.

Ndërsa, kandidati tjetër, Betim Gjoshi, hodhi kritika në adresë të Qeverisë Kurti, përkitazi me këtë çështje.

“Ia kemi ofru votat blanko për Vetting, i kemi dhënë këshillën e ndihmesën tonë, por ata nuk kanë qenë në gjendje që ta bëjnë një ligj.” – ka deklaruar Gjoshi.

Kandidati i PDK-së për deputet, Betim Gjoshi. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.  

Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

Premtimet e PDK-së për reforma në drejtësi dhe për investime në rajonin e Prishtinës