Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gruaja që vdiq para dy ditësh në QKUK del negativ në COVID-19

Dje u raportua për vdekjen e një gruaje në QKUK, ku sipas familjarëve ajo nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor.

Policia gjithashtu kishte hapur rast pas raportimit të familjareve se viktima nuk u trajtua si duhet.

QKUK për Kallxo.com ka dhënë detaje për këtë vdekje të cilët thanë se viktima ka rezultuar pozitive dy herë për COVID-19 dhe se ka qenë në gjendje të rëndë shëndetësore.

“E njëjta ishte konfirmuar dy herë si Covid pozitiv. Nuk bëhet fjalë për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, por për insistim të familjarëve për të kryer obduksionin. Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për KALLXO.com.

Me urdhër të prokurorit trupi i viktimës ishte dërguar për autopsi.

Sot është publikuar raporti i viktimës të cilin e bëri publik një familjar i saj në të cilin thuhet se nuk ka pasur prezencë të ARN-së së virusit SARS-CoV-2.