Irene Dikova, Foto: Facebook

Gruaja me mushkëri të reja që bën thirrje për më shumë dhurues organesh

Më 2009, Irene Dikova, ka qenë skiatore alpine dhe vrapuese e jashtëzakonshme.

Mirëpo asaj i ka rënë bota mbi kokë në moshën 19-vjeçare, kur e ka marrë lajmin që ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë.

Ajo është diagnostikuar me fibrozë cistike, një sëmundje e trashëguar që shkakton dëme të mëdha në mushkëri, sistemin e tretjes dhe organe tjera në trup.

Tetë vjet më vonë, në moshën 27-vjeçare, situata shëndetësore e Dikovas është përkeqësuar dhe ajo është përballur me probleme të mëdha në frymëmarrje.

Fatmirësisht, atë periudhë ka qenë në Vjenë dhe është trajtuar në kryeqytetin austriak.

Asaj i është bërë transplantimi i mushkërisë, diçka e rrallë në Bullgari.

Sistemi shëndetësor atje përballet me mungesa të shumta, meqë mjekët largohen vazhdimisht për paga më të mira.

Për pacientët në Bullgari, që po ashtu kanë nevojë për transplantim të organeve – numri shkon në mbi 900 – lajmi është i keq: ka mungesë të dhuruesve të organeve.

Dikova, tani 32-vjeçare, jo vetëm që u bën thirrje bullgarëve që të dhurojnë organe, por bën thirrje për përmirësim të sistemit shëndetësor, në mënyrë që të mundësohet kryerja e operimeve të tilla.

Më 9 tetor të këtij viti, Dikova ka marrë pjesë në Maratonën e Sofjes.

Asaj i janë bashkuar pranues tjerë të organeve dhe mjekë, në ngjarjen që është organizuar në datën kur është shënuar Dita Evropiane e Dhurimit dhe Transplantimit të Organeve.

Dikova, jo vetëm që ka luajtur sporte të ndryshme në jetën e saj, mirëpo ajo edhe ka shkëlqyer në disa prej tyre, përfshirë tenisin.

Transplantimi ia ka ndalur fare pak ritmin.

Aktualisht, ajo luan tenis, ngjitet në male, nget biçikletën, dhe u bën thirrje njerëzve që të veprojnë njëjtë, duke theksuar se ata mund të vazhdojnë jetën sikurse para transplantimit.

“Është një jetë e mrekullueshme pas transplantimit dhe njerëzit duhet të jenë shumë aktivë, sidomos ata me mushkëri të transplantuar. Secilën herë e më shumë ka diskutime nëpër konferencat mjekësore sesa aktivë duhet të jemi, për dallim nga e kaluara kur është menduar e kundërta – që nuk duhet ushtruar, nuk duhet lodhur trupin”, ka thënë Dikova për Shërbimin bullgar të Radios Evropa e Lirë.

Dhe ajo jeton ashtu siç flet.

Ajo është bërë pjesëmarrësja e parë bullgare në Kampionatin Evropian për Transplantim të Zemrës dhe Mushkërisë, të mbajtur në Itali më 2018.

Në këtë organizim, ajo ka fituar medalje të artë në tenis dhe të argjendtë në pingpong.

Edhe në kohën kur ka pasur probleme me mushkëri, Dikova rrallë e ka lënë anash pasionin e saj për skijimin.

Me raste ajo ka përdorur maskë oksigjeni për t’i ndihmuar në frymëmarrje, teksa është lëshuar prej maleve të Austrisë.

“Unë jam ish-skiatore alpine, dhe atëherë nuk ka qenë e lehtë. Mirëpo unë jam dash, si në shpirt, ashtu edhe në shenjën e horoskopit. Prandaj kam qenë këmbëngulëse. Nëna ime më ka inspiruar gjithmonë që të mos ndalem, që të mos heq dorë”, ka treguar Dikova.

Më 2009, ajo e ka përfunduar shkollën e mesme në Sofje dhe ka vazhduar studimet jashtë shtetit.

E rritur në një familje arkitektësh, ajo ka studiuar në Milano për dizajn të ambienteve të brendshme, ka udhëtuar dhe e ka shijuar mënyrën italiane të jetesës.

Megjithatë, që atëherë, Dikova është përballur me vështirësi në frymëmarrje dhe është diagnostikuar dy herë me pneumoni.

Ndërkohë e ka marrë lajmin e hidhur.

Sëmundja ia ka ndryshuar asaj jetën përgjithmonë, sepse vizitat nëpër mjekë i ka pasur të shpeshta, ashtu sikurse trajtimet me antibiotikë.

Ndonëse goditja ka qenë tejet e rëndë, simptomat i ka pasur relativisht të lehta, prandaj ajo e ka vazhduar rutinën e njëjtë.

Ka luajtur sportet që i kanë pëlqyer dhe i ka përfunduar studimet në Institutin italian, Marangoni. Pas përfundimit të studimeve, ajo është kthyer në Bullgari, ku ka hapur shumë biznese, përfshirë një për dizajn të ambienteve të brendshme.

Megjithatë, gjendja e saj shëndetësore ka nisur të përkeqësohet dhe më pas është nisur në Vjenë, me sugjerim të profesorit, Ventsislav Petkov, mjek bullgar që punon në Austri.

Me shëndet të ligë, Divoka është vendosur në listë të pritjes për transplantim të mushkërive, dhe në mars të vitit 2017, ajo është trajtuar me urgjencë, pas situatës së rëndë në të cilën ka qenë në rrugë drejt Austrisë.

E shtrirë në spital, ajo është zgjuar dy ditë më vonë për të kuptuar se është operuar dhe ka dy mushkëri të reja.

“Kam pasur fat që kam qenë në Vjenë dhe kam qenë në listën e pritjes. Kur situata bëhet shumë e rrezikshme, operimi kryhet menjëherë. Nëse do të kisha qenë në Bullgari, sot nuk do të flisnim, sepse, fatkeqësisht, kështu ka ndodhur disa herë me pacientë”, ka thënë Dikova.

Më 2014, Bullgaria ka nënshkruar marrëveshje me Eurotransplant, një rrjet evropian që koordinohet dhe bashkëpunon për transplantim të organeve.

Megjithatë, Bullgaria nuk është bërë kurrë anëtare e plotë. Arsyeja?

Bullgaria nuk ka mjaftueshëm dhurues të organeve, andaj konsiderohet partnere jo e besueshme për shtetet tjera në nevojë.

Bullgaria tani është anëtare e asociuar në Eurotransplant, pasi nuk i përmbushur kriteret minimale për dhurues të organeve, për kokë banori.

Sipas të dhënave nga fushata për dhurim të organeve, “Po! Për Jetën!”, vetëm 18 operime për qëllime transplantimi janë kryer në Bullgari prej fillimit të vitit 2022 deri më 5 tetor.

Aty janë përfshirë transplantimet e 11 veshkave, pesë mëlçive dhe dy zemrave.

Në këtë periudhë nuk është regjistruar ndonjë transplantim i mushkërive.

Për krahasim, në spitalin në Vjenë, ku Dikova është trajtuar, janë kryer 200 transplantime të mushkërive në vit, ka mësuar Radio Evropa e Lirë.

Në Bullgari, numri i njerëzve që presin për transplantim të organeve aktualisht shkon në 901, sipas të dhënave të siguruara nga Radio Evropa e Lirë.

Por, ky nuk është problemi i vetëm në fushën e shëndetësisë së Bullgarisë.

Ky shtet po përballet me mungesa të mëdha të mjekëve dhe infermierëve.

Tre në katër studentë të mjekësisë në Bullgari, kanë thënë më 2020 se ata mendojnë të largohen nga shteti, duke përmendur Gjermaninë, Austrinë dhe vendet skandinave në krye të listës, ka raportuar Euronews.

Bashkimi Evropian ka ndarë fonde për të përmirësuar infrastrukturën mjekësore të Bullgarisë, mirëpo diçka e tillë nuk ka ndihmuar për të ndalur ritmin e ikjes së punëtorëve më të mirë shëndetësorë.

Më 2019, punëtorët shëndetësorë bullgarë kanë protestuar me kërkesë për pagë minimale prej 460 eurosh për infermierët dhe të paktën 600 euro si pagë fillestare për mjekët.

Duke marrë parasysh gjithë vështirësitë me të cilat përballet sistemi shëndetësor i Bullgarisë, dhe sidomos në sektorin e transplantimit të organeve, Dikova është shumë e vetëdijshme për fatin që ka.

“Unë marr frymë falë një personi të cilit i ka vdekur truri dhe familjarëve të tij që kanë vendosur të dhurojnë mushkëritë. Ne duhet të bashkëndjejmë me dhimbjen e të tjerëve, sepse ne nuk e dimë kurrë kur ne, apo të afërmit tanë, do të dëgjojnë për një diagnozë të tmerrshme që mund të na ndryshojë apo marrë jetët tona”, ka thënë ajo, duke u bërë thirrje bullgarëve që të dhurojnë organet.

Ajo ende e mban mend një poster që ka qenë i vendosur në dhomën e saj në spitalin e Vjenës.

“Zoti nuk i do trupat tanë, Zoti i do shpirtrat tanë”.

“Pas vdekjes, shpirti shkon ku duhet të shkojë dhe trupi kalbet. Pse duhet të ndodhë kjo gjë, nëse ne mund t’i japim jetë një personi tjetër?”/REL