Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com
Gruaja e plagosur në Fushë Kosovë dërgohet për trajtim në QKUK
Një grua është plagosur me armë zjarri mëngjesin e sotëm (06.08.2024) në Bresje të Fushë Kosovës, përderisa një i dyshuar është vënë në pranga të Policisë së Kosovës për këtë rast.
Gruaja tashmë ka arritur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për të marr tretmanin e nevojshëm mjekësor si pasojë e lëndimeve që ka pësuar nga ky rast.
KALLXO.com ka kontaktuar me Zyrën për Informim në QKUK, nga e cila është konfirmuar se gruaja sapo ka arritur në emergjencë.
Nga Zyra për Informim thanë se viktimës janë duke iu bërë ekzaminimet e nevojshme nga mjekët emergjent.
Po ashtu është thënë se ende nuk dihet gjendja shëndetësore e viktimës, deri sa të përfundojnë ekzaminimet mjekësore.
Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ajo tha se lidhur me këtë rast policia ka arrestuar një person të dyshuar.
Sipas Ahmetit hetuesit policor në koordinim me prokurorinë, po ndërmarrin veprimet hetimore për ndriçimin e plotë të rastit.