Ilustrimi: Granit Mavriqi / KALLXO.com
Gruaja e nënkryetarit të Komunës dhe dy anëtare të PDK-së punësohen në shkollat e Drenasit
Gruaja e nënkryetarit të Komunës së Drenasit dhe dy anëtare të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ia kanë parë ‘hajrin’ konkurseve të shpallura muajve të fundit nga Drejtoria e Arsimit të Komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci i PDK-së. Por ndikimi i mundshëm që ngrit dyshimet për nepotizëm është mohuar kategorikisht nga Komuna dhe PDK.
Këto punësime po ndodhin pikërisht pak kohë pasi dega e PDK-së konstituoi strukturat e brendshme me Ramiz Lladrovcin në krye të tyre, dhe i njëjti në anën tjetër fitoi edhe mandatin e dytë për të udhëhequr me Drenasin.
Gjatë tre muajve të fundit, Drejtoria e Arsimit në këtë komunë kishte shpallur konkurs për një numër mësimdhënësish për disa shkolla në Drenas.
Përkatësisht, më 26 tetor 2021 ishte shpallur vendimi për pranimin e dy mësimdhënësve – një mësimdhënës i Matematikës në Shkollën Fillore “Gani Sylaj” në Poklek të Ri, dhe një mësimdhënës për lëndën e Biologjisë në Shkollën e Mesme “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Në listën e dy të suksesshmëve është Valbona Shala, e cila më 3 dhjetor 2021 është zgjedhur për mësimdhënëse të lëndës e Biologjisë, me mundësi vazhdimi.
Valbona Shala është gruaja e nënkryetarit të Komunës së Drenasit, Arben Shala.
Por, Arben Shala thotë për KALLXO.com se konkursi ka qenë i brendshëm dhe sipas tij s’ka pasur asnjë lloj ndikimi nga ana tij.
Sipas tij, gruaja e tij kishte qenë e punësuar edhe në institucionet e tjera arsimore në Drenas.
“Ai ka qenë konkurs i brendshëm, se ajo ka qenë duke punuar edhe më herët në shkolla tjera. Nuk ka pasur ndikime nga ana ime”, u shpreh Shala.
Në anën tjetër, zyra për media e Komunës së Drenasit thotë se kandidatët e përzgjedhur, e në këtë mes edhe Valbona Shala, i kanë plotësuar kriteret e parashtruara me konkurs.
“Vlen të përmendet se të gjitha pozitat e apostrofuara nga ana juaj janë zëvendësim, pra me kohë të caktuar”, thonë mes tjerash nga Komuna.
Punësimet e “Grave Demokratike”
Ariana Isufi dhe Egzontina Hoxha janë dy nga emrat që janë pjesë e listës së kandidatëve të suksesshme për mësimdhënëse në dy shkolla të Drenasit dhe në dy drejtime të ndryshme. Të dyja kanë pozita të rëndësishme brenda degës së PDK-së në Drenas.
Përkatësisht, Ariana Isufi është përzgjedhur e suksesshme sipas rezultateve të shpallura më 3 dhjetor 2021, për mësimdhënëse për Psikologji në Shkollën e Mesme të Ulët “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Drenas “deri sa të kthehet punëtorja nga pushimi i lehonisë”.
Në atë datë, PDK dega në Drenas njoftoi se Ariana Isufi me zgjedhjet e strukturave të brendshme është zgjedhur sekretare e përgjithshme në Kryesinë e Gruas së PDK-së në këtë komunë.
Në anën tjetër, pjesë e listës së Kryesisë së Gruas është edhe Egzontina Hoxha si nënkryetare e kësaj Kryesie.
Në bazë të rezultatëve të publikuara më datën 22 nëntor 2021, Egzontina Hoxha është zgjedhur mësimdhënëse e Infermierisë në Sh.M.P. “Fehmi Lladrovci” në Drenas. Egzontina Hoxha pretendohet të jetë nënkryetare e Kryesisë së Gruas së PDK-së në Drenas.
Për këto pretendime, Komuna e Drenasit ka deklaruar për KALLXO.com se komisionet nuk kanë qenë në dijeni për afërsinë e kandidatëve.
Sipas zyrës për informim të Komunës së udhëhequr nga Ramiz Lladrovci i PDK-së, në konkurset e fundit, Drejtoria e Arsimit ka shpallur konkurse për pranimin e mësimdhënësve të rinj, disa nga ta thonë se kanë qenë të brendshme dhe në rishpallje në mungesë të kandidatëve me përgatitje adekuate.
“Megjithatë, për secilin konkurs janë komisionet përzgjedhëse profesionalë të formuar nga DKA të cilat vlerësojnë në mënyrë të pavarur sëcilin nga kandidatët, duke respektuar kriterin e konkursit dhe normativin e MAShT 05/2021 si dhe rregulloren 07/2017 për rregullimin e procedurës së marrëdhënies në punës në sektorin publik. Lidhur me pretendimet per afërsinë të kandidatëve, komisionet nuk kanë qenë në dijeni”, thuhet në përgjigjen për KALLXO.com.
Se përzgjedhja e kandidatëve është bërë në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë ndikim thotë edhe Ramiz Lladrovci, kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas.
“Theksoj se vlerësimin e ka bërë komisioni i pavarur i formuar për të bërë përzgjedhjen e mësimdhënësve në lëndët përkatëse. Po e ritheksoj se përzgjedhja është bërë në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë ndikim. Pasi po përmendni emra konkretë me punë të përkohshme, si zëvendësim, do të ishte mirë të cekni se ka të punësuar të përhershëm familjarë të asamblistëve opozitarë, pa favorizim apo ndikim”, thotë Lladrovci.
“Komuna e Drenasit do vazhdojë të mbajë primatin për transparencë e llogaridhënie dhe vlerësim të meritokracisë edhe tash, njëjtë siç jemi vlerësuar për vite me radhë”, shtoi ai.