Gruaja e kryesuesit të Kuvendit të Deçanit punësohet në ndërmarrjen "Higjiena"

Gruaja e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutajt, është punësuar në ndërmarrjen publike lokale të pastrimit ‘Higjiena’ në Deçan.

Florentina Murseli është renditur e para për pozitën ‘Zyrtare e Prokurimit’ në këtë ndërmarrje, ndërsa kryeshefi Kushtrim Loshaj e ka mohuar se pozita e Sutajt ka ndikuar që Murseli të punësohet aty.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Kushtrim Loshaj ka thënë se në këtë konkurs kanë aplikuar katër kandidatë, të cilët i kanë plotësuar kriteret për të vazhduar me procedura.

Ai ka lavdëruar kandidaten e përzgjedhur duke thënë se ka qenë e ‘mbikualifikuar’ për atë pozitë.

Loshaj e ka mohuar që ka ndikuar kryesuesi Hajdar Sutaj që gruaja e tij të punësohet në ndërmarrje.

“Komisioni vlerësues, nisur edhe nga mbiemri, nuk mund të verifikoj, sikurse nuk është obligative, nëse ndonjëri nga aplikantët është familjarë e kujdo, që mund të ketë çfarëdo përgjegjësie. Komisioni si i tillë e ka përmbyllur procesin duke u bazuar në rezultatet e kandidatëve dhe kualifikimet e tyre sipas kritereve të kërkuara”, ka thënë Loshaj për KALLXO.com.

Në anën tjetër, Hajdar Sutaj e ka mohuar se ka pasur ndikim në punësimin e gruas së tij, përkundër pozitës që ai mban në pushtet.

Ai është përgjigjur shkurt, duke thënë se për informata më të detajuara të kontaktohet menaxhmenti i ndërmarrjes.

“Sigurisht që jo (nuk kam ndikuar), sikurse në asnjë institucion që ka punuar deri më tani, kur edhe nuk jemi njohur. Për çkado komunikoni me menaxhmentin, verifikoni procedurat, merreni CV e kandidatëve, merreni kopjet e të gjitha diplomave dhe certifikatave e çkado që iu intereson juve dhe pastaj vlerësojeni vetë”, ka thënë Sutaj përmes telefonit.

Po ashtu, nga Sutaj është kërkuar kontakti i gruas së tij, Florentina Murselit, për ta pyetur rreth punësimit të saj, por deri në momentin e publikimit të shkrimit, Sutaj nuk është përgjigjur më dhe rrjedhimisht kontakti me Murselin ka qenë i pamundur.

Në anën tjetër, kryeshefi i ndërmarrjes Kushtrim Loshaj ka thënë se dosja e aplikimit është dorëzuar në komisionin vlerësues dhe sipas tij, kandidatja e zgjedhur është e mbikualifikuar.

“Përpos studimeve bachelor në drejtimin Banka e Financa në UP dhe studimet master në po të njëjtin drejtim, ka të përfunduar dhe posedon dy certifikata të kualifikimeve nga institucionet përkatëse për prokurim dhe mbi 17 certifikata tjera profesionale, që e dëshmojnë aftësimin e saj profesional”, ka thënë Loshaj për KALLXO.com.

Loshaj tutje ka thënë se për të është nder që Murseli të jetë pjesë e ndërmarrjes.

“Është nder të jetë pjesë e ndërmarrjes sonë, sikurse do të ishte nder për çdo institucion dhe si e tillë do të përzgjedhej në çdo konkurs të tillë kudo, edhe sikur të kishte rival këdo nga të afërmit e krerëve më të lartë të shtetit, sepse një kandidate të tillë nuk do të merrte guximin asnjë komision ta refuzojë, për shkak të përgatitjeve të saj”, tha ai.

Konkursi për ‘Zyrtar të prokurimit’ ka qenë i shpallur më 25 maj të këtij viti. Sipas kryeshefit, në të kanë aplikuar katër kandidatë, ndërsa rezultatet e konkursit janë shpallur më 23 qershor.

Në ndërkohë, KALLXO.com ka siguruar një vendim të bordit të drejtorëve, me anë të të cilit janë ndaluar përkohësisht punësimet në këtë ndërmarrje.

Arsyeja e ndalimit të punësimeve, sipas vendimit, është për shkak të mungesës së kapacitetit financiar. Vendimi ka hyrë në fuqi që nga data 1 korrik 2022.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për politizimin e ndërmarrjes publike lokale ‘Higjiena’ në Deçan.

Pikërisht tash kryeshefi i ndërmarrjes, Kushtrim Loshaj, ka qenë mandatin e kaluar asamblist nga radhët e AAK-së në Kuvendin e Deçanit.

Në një prononcim për KALLXO.com, Kushtrim Loshaj, e kishte mohuar se ka pasur ndikim partia për punësimin e tij, ndërsa për shkeljet ligjore kishte thënë të kontaktohet bordi i drejtorëve.

“Jo, absolutisht nuk ka pasur (ndikim politika), pasi që unë kam qenë këtu i punësuar për një vit e më shumë si zyrtar në kompani. Edhe pas procedurave të hapura ligjore të konkursit, unë isha njëri ndër aplikuesit. Sipas bordit kam rezultu i suksesshëm dhe jam pranu. Edhe unë nuk e shoh këtë si ndikim politik”, kishte thënë Loshaj.

I politizuar është edhe bordi i drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje.

Tre nga katër anëtarët e bordit kanë të kaluar politike me partinë që udhëheq këtë komunë, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Për zgjedhjen e tyre nuk ka pasur konkurs publik.

Më 22 shkurt të vitit 2022, komisioni komunal i aksionarëve i kësaj ndërmarrjeje ka emëruar katër anëtarët e bordit. Anëtarët e emëruar ishin: Milazim Mushkolaj kryesues, kurse Genc Kameraj, Besjana Ukëhaxhaj dhe Elona Istrefaj, anëtarë.

Kryesuesi i bordit, Milazim Mushkolaj dhe anëtarja Besjana Ukëhaxhaj kanë qenë asamblistë të AAK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, gjatë mandatit të kaluar. Ndërsa, Genc Kameraj ka thënë se ka shoqëri me zyrtarët e AAK-së dhe i njëjti është parë nëpër takimet e partisë se AAK-së.

Politizohet bordi i ndërmarrjes së Deçanit me zyrtarë të AAK-së