Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gruaja e ish-deputetit të LDK-së emërohet edukatore në Lipjan

Gruaja e ish-deputetit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Tasholli, Fakete Tasholli, është emëruar në pozitën e edukatores në shkollën “Zenel Hajdini” në Gadime të Lipjanit.

Emërimi i saj në këtë pozitë është bërë publik edhe në faqen zyrtare të Komunës më 17 janar 2022.

Pesë ditë para lëshimit të këtij vendimi u bë publike dhe lista e kandidatëve që kishin kaluar testimin me shkrim.

Ishin gjithsej 29 kandidatët që kaluan këtë fazë të testimit.

Të njëjtë janë ftuar që më 14 janar të këtij viti të intervistohesh me gojë.

Fazën e intervistimit e kaluan vetëm dy persona, një nga ta doli të jetë gruaja e ish-deputetit Tasholli.

KALLXO.com ka kontaktuar me Tashollin.

I pyetur se a është Fakete Tasholli gruaja e tij, shkurtimisht ai është përgjigjur me “Po”.

Tutje i njëjti ka thënë se nuk e sheh këtë emërim si konflikt interesi.

“Çka me bo tash na a me dekë që jam kanë deputet? Nuk jam më [..] nuk mendoj që ka konflikt interesi, unë i papunë jam, nuk jam duke punu kurrgjë”, u shpreh Tasholli.

Për këtë çështje është kontaktuar edhe drejtori i Arsimit në këtë Komunë, Rasim Hasani.

“Nuk ka konflikt interesi kurrkush me kërkon”, ka thënë ai.

I njëjti ka thënë se qyteti i Lipjanit është i vogël dhe se nuk mund të diskriminohet askush veç pse e kanë dikë në komunë.

“Qa me i bo kur 70% e kanë votu Imri Ahmetin, ata dalin najnjo të partisë e najnjo të PDK-së [..] veç pse dikush e njeh dikon në komunë nuk munden me u diskriminu”, tha Hasani për KALLXO.com.

Vendimi ku tregohet se Fakete Tasholli është pranuar në pozitën edukatores