Gropa në vend të rezervuarit të ujit, deçanasit denoncojnë kompaninë që ndërtoi hidrocentralet

Bjeshkatarë të Deçanit u ngjitën sot te vendi i quajtur Zallë i Rupës për të parë nga afër zonën ku sipas tyre ka mbetur një djerrinë dhe një gropë e rrezikshme ku ishte paraparë të ndërtohet një bazen akumulues.

Organizata Jo Qeveritare  “Pishtarët” sot ka realizuar një takim me bjeshkatarë në Bjekshët e Deçanit, aty ku kanë mbetur dëmet e shkaktuara nga punimet e realizuara më herët.

Në këtë takim përfaqësuesja e OJQ-së Pishtarët, Shpresa Loshaj ka shpjeguar se kompania “Kelkos Energy”, ndërtuese e hidrocentraleve në këtë zonë, kishte detyrim ndaj banorëve të Deçanit që të ndërtonte një rezervuar uji.

 

Në vend të kësaj, sipas Loshajt, kompania ka nisur punimet dhe i ka lënë në gjysmë duke shkaktuar kështu dëme në atë pjesë të bjeshkës.

Ajo ka kërkuar nga institucionet të dëgjohet thirrja e bjeshkatarëve para se të ketë ndonjë rast me fatalitet sidomos pasi që edhe fëmijë dhe shumë familje që jetojnë atje.

E njëjta në këtë takim gjithashtu ka shpërndarë edhe marrëveshjen kontraktuese në mes komunës së Deçanit dhe Kelkos Energy, në të cilën marrëveshje sipas saj shihen detyrimet e kësaj kompanie karshi punimeve që ka kryer.

Banorët ankohen se janë të rrezikuar nga dëmet e punimeve që kanë mbetur dhe sipas tyre janë dëmtuar edhe zonat që i kanë shfrytëzuat për bagëti në të kaluarën.

Ata tregojnë se nga këto hapësira gjatë punimeve janë bartur shumë kamionë me zhavorr, dhe si pasojë e punimeve këto hapësira tashmë janë shndërruar në zonë të rrezikshme për rreth 100 familje që jetojnë në atë hapësirë.

Lidhur me gropat e hapura dhe rrezikshmërinë e tyre banorët thojnë se “ në vend të livadhit tash ka vetëm gurë e zalle”.

Kurse Shpresa Loshaj nga organizata “Pishtarët” e quan gjendjen në këtë pjesë si krim ndaj natyrës, derisa thotë se nuk është realizuar pothuajse asnjë detyrim i kompanisë,

“ Unë e quaj tragjedia më e madhe e krimeve mbi natyrën në Kosovë “, thotë Shpresa.

E njëjta nëpërmjet kërkesës për qasje në dokumente ka arritur ta sigurojë marrëveshjen ndërmjet Komunës së Deçanit dhe Kompanisë “Kelkos ENergy”, që sipas saj ka 11 pika që janë edhe detyrime për kompaninë në fjalë.

Sipas saj detyrimi kryesor i kompanisë me rastin e punimeve ka qenë bazeni akumulues dhe nuk është përmbushur nga kompania.

E njëjta thotë se kompania që ka kryer punimet nuk ka përmbushur asnjë nga detyrimet që parashihen në marrëveshje.

“ Pse nuk u ndërtua bazeni akumulues dhe pse e kanë lanë në këtë mënyrë? “ janë pyetjet e saj drejtuar kompanisë dhe Komunës së Deçanit.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në adresë të kompanisë lidhur me pretendimet e OQJ-së “Pishtarët” dhe për ankesat e banorëve, mirëpo deri në publikim e këtij artikulli kompania nuk është përgjigjur.

Përfaqësuesja e organizatës joqeveritare “Pishtarët” në Deçan, Shpresa Loshaj  më herët i ishte drejtuar me një letër Ministrisë Federale Austriake për çështje Evropiane dhe Ndërkombëtare, dhe Ambasadës austriake në Kosovë lidhur me pretendimet e saj kundër kompanisë austriake Kelkos Energy për ndërtimin dhe operimin e disa hidrocentraleve në Luginën e Deçanit.

Aktivistja e kërcënuar me padi e shoqërisë civile i shkruan qeverisë së Austrisë për betejën kundër hidrocentraleve në Deçan

 

Në mbështetje të dhjetra organizatave të shoqërisë civile, Loshaj përmes kësaj letre ka paraqitur investimet e Kelkos, të cilat sipas saj, dëmtojnë mjedisin e Kosovës dhe ka mungesë të sundimit të ligjit.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.