Foto: Ilustrim

Gripi sezonal rritë numrin e pacientëve nëpër krejt komunat

Gripi sezonal ka bërë që numër i madh i qytetarëve të kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrat e shëndetit nëpër komuna.

Drejtoresha e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Komunën e Gjilanit, Arbenita Hajdari, thotë se vetëm në këtë qendër, vetëm brenda 24 orëve, ndihmë mjekësore kërkojnë rreth 400 qytetar.
Në bazë të simptomave që pacientët kanë, drejtoresha thotë se shumica prej tyre janë me grip sezonal.

Hajdari thotë se pacientët kryesisht kanë temperaturë dhe ethe. Sipas mjekëve simptomat e gripit sezonal me atë të COVID-19 nuk kanë shumë dallim, andaj edhe kujdesi duhet të jetë i shtuar.

Ajo shton se brenda ditës në të gjitha qendrat shëndetësore në komunën e Gjilanit trajtim mjekësor marrin rreth 1,200 pacientë.

“Njëmijë deri 1,200 qytetar brenda ditës në të gjitha qendrat familjare kërkojnë trajtim. 80 për qind e tyre janë me grip sezonal”, thotë ajo.

Hajdari thekson se ka raste të shpeshta kur kërkojnë nga pacientët të bëjnë testin rapid të COVID-19 për shkak të dyshimeve se mund të jenë të infektuar me virusin corona por, drejtoresha shton se shumica dërmuese janë duke rezultuar negativ në këtë virus.

Shifër e lartë e pacientëve të cilët janë duke kërkuar ndihmë mjekësore është edhe në qendrat mjekësore në Ferizaj. Sipas drejtoreshës së QKMF-së, Nadire Ymeri, vetëm në dy qendrat e shëndetit në qytet, në QKMF dhe QMF2 brenda 24 orëve kërkojnë ndihmë përafërsisht 300 pacientë.

Në mënyrë që të menaxhohet sa më mirë fluksi i lartë i pacientëve, natyrisht se duhet staf më i madh i personelit shëndetësor e për të cilin Ymeri thotë se nuk kanë mjaftueshëm nëpër qendrat mjekësore.

Ajo në një prononcim për KALLXO.com ka bërë të ditur se në të gjitha qendrat mjekësore janë vetëm 51 mjekë – mjekë familjar e të përgjithshëm.

“Kemi nevojë për mjekë ende nuk është numri tamam i plotësuar sa është i nevojshëm në bazë të numrit të banorëve. Në krejt qendrat i kemi 51 mjekë. Kuptohet se kemi nevojë për më shumë, nuk po i llogarisë specializantët të cilët janë të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë për vaksinim”, thotë ajo, duke shtuar se kanë të punësuar edhe mjekë të angazhuar nga organizata “Caritas”.

Sa i përket furnizimeve me barna dhe pajisje tjera të nevojshme mjekësore, drejtoresha thekson se nuk kanë shumë telashe, mirëpo në këtë kohë ku numri i personave të cilët kërkojnë shërbime mjekësore është i lartë, furnizimet nuk janë krejtësisht të mjaftueshme.

“Jemi mirë me furnizime, por tash kemi fluks të lartë të pacientëve dhe e kemi të pamundur t’i plotësojmë të gjitha kërkesat e pacientëve”, thotë ajo.

Mbi 10 mijë e 550 shërbime mjekësore janë dhënë javën e kaluar në qendrat mjekësore në Komunën e Drenasit.

Drejtori i QKMF-së, Ismet Bogiqi, thotë se shumica e pacientëve të cilët janë duke marrë shërbime shëndetësore, janë të prekur nga gripi sezonal.

Edhe ai ankohet se nuk ka staf shëndetësor të mjaftueshëm mjekësor.

“Katër mjekë e kanë lënë punën këto ditë. Po shkojnë jashtë ose po shkojnë diku më afër”, tha ai në një deklarim për KALLXO.com.

Gripi sezonal ka prekur edhe qytetarët nga komuna e Pejës. Në repartin e pediatrisë në QKMF-në e qytetit, dy ditë më parë kanë kërkuar shërbime mjekësore rreth 80 pacientë.

Kështu ka bërë të ditur kryeinfermierja, Ajeta Musliqi për KALLXO.com. Ajo po ashtu ka theksuar se nuk janë mirë të furnizuar me barnat esenciale.

Musliqi thotë se nuk kanë sasi të mjaftueshme të ilaçit ‘Diclofen’ apo  tretës për infuzion dhe ‘Deksazon’ (ilaç i cili kryesisht përdoret për të zvogëluar inflamacionin).

Rreth 3 mijë prishtinas kanë kërkuar ndihmë mjekësore në QKMF në kryeqytet e të cilët kryesisht kanë pasur simptoma të gripit sezonal.

“Në kujdesin parësor shëndetësor në Komunën e Prishtinës numri i vizitave ditore është dyfishuar dhe tani brenda 24 orëve realizohen rreth 3,000 vizita, ky numër është rritur si pasojë e gripit”, ka thënë Bujar Gashi drejtor i QKMF-së.

Gripi sezonal dyfishon numrin e pacientëve nëpër QMF-të e Prishtinës