Greva në shëndetësi - Mjekët vendosin të hënën për masat tjera

Dërgimi i Ligjit të Pagave në Gjykatën Kushtetuese nga Avokati i Popullit ka shtyrë mantelbardhët të mbajnë grevë.

Mjekët e të tria niveleve shëndetësore sot do të jenë në grevë nga ora 07:00 në mëngjes e deri pasdite në ora 15:00.

Xhemajl Selmani, mjek ortoped-reumatolog si dhe përfaqësues i Federatës Sindikale ka thënë për KALLXO.com se mantelbardhët të hënën do të vendosin për masa të mëtutjeshme që do të dalin pas pezullimit të Ligjit të Pagave nga Gjykata Kushtetuese.

Sipas Selmanit janë 20 vjet që ata janë munduar për paga të dinjitetshme dhe mirëqenie më të mirë, por që politikanët nuk kanë menduar asnjëherë për shëndetësinë.

“Arsyet e grevës sonë tashmë janë të qarta, ne e kemi paralajmëruar grevën për dërgimin e Ligjit të Pagave në Kushtetuese. Pezullimi i këtij ligji dhe kjo nguti është e motivuar politikisht. Ne sot jemi në grevë 8-orëshe. Thërras kolegët që ditën e hënë në ora 11, përfaqësuesit e secilës klinikë, të japin mendimin e vet për hapat e mëtejmë”, ka thënë Selmani.

Ai ka shtuar se mjekët kanë performancë të mirë dhe meritojnë paga më të mira.

“Ne jemi privuar qe 20 vjet nga puna normale në institucionet e shëndetësisë sepse qeveritarët e papërgjegjshëm na kanë lënë me duar lidhur me i shërby këtij populli. Qe 20 vjet jemi pa rroga të dinjitetshme ndërsa shëndetësia si shtyllë e shtetit është dëmtuar skajshmërisht. Për neve tregojnë statistikat se sa punojmë, janë diku mbi 20 mijë e 500 ndërhyrje kirurgjikale që kryhen në vit nga QKUK, mbi 1 milion vizita që bëhen brenda vitit”, ka shtuar si më tej.

Ai ka kërkuar falje te pacientët, por shtoi se kjo situatë po ndikon që mjekët e rinj të largohen nga Kosova dhe të shkojnë në vendet perëndimore për të punuar.

Në QKUK do të trajtohen vetëm rastet urgjente, ndërsa shërbimet tjera nuk do të ofrohen.

Sipas federatës sindikale të QKUK-së, të gjithë punëtorët shëndetësore i janë përgjigjur ftesës për grevë dhe ajo ka filluar në të gjitha institucionet e të tria niveleve që në ora 07:00 në mëngjesin e sotëm.

Gjykata Kushtetuese e ka pezulluar përkohësisht Ligjin për Paga sipas kërkesës nga Avokati i Popullit. Ligji do të jetë i pezulluar deri më 30 mars të këtij viti.

Avokati i Popullit ishte ankuar  pasi  ka pranuar gjithsej 35 ankesa individuale nga subjekte të ndryshme të sektorit publik dhe pasi ka vlerësuar se  është në “interes të ankuesve, por edhe të publikut, që Gjykata të vlerësojë nëse Ligji i kontestuar prek interesat legjitime të këtyre ankuesve.

Gjykata Kushtetuese sot njoftoi se ka miratuar këtë kërkesë.

Gjykata po ashtu miratoi propozimin e Gjyqtares Raportuese që të ftohet Komisioni i Venecias që të dorëzojë një Opinion lidhur me Ligjin nr. 06/L-111 për Pagat në Sektorin Publik.

Tri sindikata kanë paralajmëruar protestë për ditën e nesërme në rast se pagat nuk dalin me rritje.