Greva në arsim, SBASHK i gatshëm të heqë dorë nga kërkesa për 100 euro, kërkon rritje të pagës për 10.5 për qind

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBASHK) i ka dërguar një letër Avokatit të Popullit përmes të cilës ofron një propozim për ndërprerjen e grevës dhe fillimin e mësimit në shkollat e vendit.

Por, SBASHK ka një kërkesë.

Reshit Kushaj nga kjo Sindikatë ka thënë për KALLXO.com se përmes kësaj letre kanë kërkuar që të zëvendësohet kërkesa prej 100 euro me rritjen e pagës së mësimdhënësve prej 10.5% prej 1 shtatorit.

“Në pagën që kemi aktualisht i bie mbi 50 euro, që do të thotë e kemi rritur vlerën e kërkesës dhe nuk e kemi zbritur”, ka thënë Kushaj.

“Kemi thënë që të bëhet rritja e pagës dhe 10.5 % deri te zbatimi i ligjit” – ka shtuar ai.

Tutje ai ka thënë se nëse nuk realizohet edhe kjo kërkesë, atëherë do të vazhdojë greva dhe gjithçka do të varet nga anëtarësia.

Edhe Zyra e Avokatit të Popullit ka bërë të ditur se sot kanë pranuar një letër nga SBASHK-u.

Në njoftim bëhet e ditur se të gjitha palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre rreth mundësisë për të ndërprerë grevën.

“Me qëllim që të arrihet marrëveshja, Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje në të cilën ka propozuar një zgjidhje të mundshme, si zgjidhje e balancuar mbi bazën e qëndrimeve që palët kanë prezantuar, e njëkohësisht me kujdes janë paraqitur qëndrime që mund të sjellin konsensus”- thuhet në njoftimin e Avokatit të Popullit .

Greva në arsim dhe në sektorë të tjerë ka filluar më 25 gusht dhe po vazhdon ende