Greva e punëtoreve teknike para Kuvendit, Bajrami: Kompanisë duhet t'i shkëputet kontrata

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, në seancën e mbajtur më 31.10.2024, teksa ka folur për grevën e punëtoreve që mirëmbajnë hapësirat e Kuvendit të Kosovës, ka thënë se Kuvendi duhet t’ia shkëpusë kontratën me kompaninë private ku janë të punësuara këto punëtore.

Ajo ka thënë se të njëjtat paguhen në kundërshtim me vendimin e Qeverisë së Kosovës lidhur me pagën minimale, pasi sipas saj, ato paguhen bruto nën 350 euro.

“Një kompani private nuk po e zbaton vendimin e Qeverisë. Kjo kompani ka kontratë me ‘shtëpinë e demokracisë’, me ligjvënësit. Ne duhet të jemi përgjegjës për zbatimin e ligjeve. Nga 16 shtatori, ato gra janë në grevë, ndërkohë ne nuk kemi informacion që kësaj kompanie i është shkëputur kontrata”- ka thënë Bajrami.

Sipas saj, kjo nuk është çështje private, sepse kompania paguhet nga një institucion publik.

“Është dashur t’i shkëputet kontrata asaj kompanie e cila po refuzon për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me punëtorët me ofru shërbime për Kuvendin e Kosovës. Në tenderin e radhës një prej kritereve duhet me qenë kushtet për punëtorët që kanë me ofru shërbime për institucionet publike”- ka thënë ajo.

Që nga 16.09.2024, punëtoret e Kuvendit të Kosovës që kujdesen për mirëmbajtjen dhe pastrimin e sallave të institucionit qendror dhe hapësirat e tjera, kanë rinisur grevën duke kërkuar rritje të pagave.

Të njëjtat protestuan edhe më 09.07.2024, megjithatë sipas tyre, kërkesat hasën në vesh të shurdhër.

Këshilltari i kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, më 18.09.2024, ka njoftuar se kabineti i kryeparlamentarit inkurajon stafin e mirëmbajtjes të vazhdojë kërkesat kundrejt operatorit ekonomik me të cilin kanë edhe marrëdhënie pune.

Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës kishin protestuar në korrik që t’u rritet paga në rreth 500 euro.