Greva detyron MAP-in të gjejë objekt publik për zhvendosjen e MKRS-së

Vendosmëria e punëtorëve të Ministrisë së Kulturës që përmes grevës po kundërshtojnë largimin nga objekti aktual po jep rezultatet e para.

Ministria e Administratës Publike është afër gjetjes së një lokacioni të përshtatshëm për vendosjen e stafit të Ministrisë së Kulturës. Kësaj radhe në një objekt në pronësi publike.

Grevistët e MKRS nuk dinë gjë për ndonjë lokacion të ri dhe do të vazhdojnë grevën deri në një vendim të ri.

Stafi civili i MKRS-së nisi në dhjetor të 2019 një grevë të përgjithshme për të kundërshtuar largimin e MKRS-së nga objekti aktual në një objekt privat.

Për të ‘kënaqur’ Zyrën e Presidencës dhe grevistët e MKRS-së, MAP ia ka ‘vënë’ syrin hapësirave në kompleksin Rilindja. Por zyrtarë të kësaj ministrie kanë qenë të kujdesshëm kur janë pyetur nga Kallxo.com rreth gjetjes së një lokacion të ri për vendosjen e stafit të MKRS-së.

Arton Berisha, Sekretar i Përgjithshëm në MAP ka pohuar se kjo ministri kohë më parë ka përfunduar të gjitha procedurat për shpronësim të kompleksit “Rilindja” ku ka hapësirë të mjaftueshme për t`u vendosur shumë institucione qeveritare.

Por, ai ka thënë se pasi që ende nuk është paguar pjesa financiare e 20% të vlerës së shpronësimit që kërkohet sipas ligjit, AKP ende nuk i ka liruar hapësirat në tërësi.

“Në bashkëpunim me AKP-në kemi filluar renovimin e një pjese të ndërtesës për akomodimin e stafit të AKP-së ndërsa është liruar edhe një pjesë tjetër ku ka qenë e vendosur Tribuna Channel dhe pas analizimit të hapësirës do të vendoset a mund të akomodohen ndonjë institucion qeveritar e në këtë rast pse jo edhe MKRS  dhe MBZHR, pasi ka hapësirë e mjaftueshme brenda kompleksit të Rilindjes. Për momentin ende s’kemi vendim për këtë, por kjo do të vendoset shumë shpejt pas analizimit të hapësirës dhe mundësive buxhetore pasi që nevojitet të rinovohen hapësirat për akomodim të stafit”, ka potencuar Berisha.

Por, në MKRS janë shprehur se nuk janë në dijeni nëse MAP mund të ketë gjetur një lokacion të ri për zhvendosjen e stafit të MKRS.

Labinot Berisha, nga Këshilli grevist i punëtorëve të MKRS ka thënë për Kallxo.com se nuk kanë ndonjë komunikim zyrtarë as me MAP-in e as me menaxhemntin e lartë të MKRS-së, por me formimin e Qeverisë së re pret që të stopohet iniciativa për largimin MKRS nga objekti.

“Vlerësoj se tashmë kemi një situatë të re pres se i gjithë procesi të rikthehet në piken zero, duke u bazuar edhe në e në vendimit Nr.02/04 te datës 30 janar 2008 për akomodimin e institucioneve publike në ndërtesa publike dhe obligimin që të njëjtat të tërhiqen nga objektet private. Natyrisht greva do të mbetet ende dhe Këshilli Sindikal i MKRS pritet të mblidhet dhe të marr një vendim te ri“, ka hënë ai.

Stafi civili i MKRS-së nisi në dhjetor të 2019 një grevë të përgjithshme duke paralizuar të gjitha shërbimet në këtë Ministri.

Grevistët e MKRS po kundërshtojnë largimin e MKRS-së nga objekti aktual në një objekt privat. Qeveria e klauar kishte marrë një vendim që ish -Ndërtesa e Partive Politike, t’i kalojë në shfrytëzim Zyrës së Presidentit.

MAP-i që nga fillimi i 2019-ës kishte kërkuar nga MKRS dhe Minstria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvilimit Rural të lironin objekti. Në fund të 2019 MBPZH u largua, ndërsa stafi civil i MKRS nisi një grëve për të kundërshtuar vendosjen në një objekt privat.