Greta Thunberg

Greta Thunberg dhe 15 fëmijë tjerë ankohen në OKB për ndryshimet klimatike

16 vjeçarja Greta Thunberg, aktiviste për çështje klimatike, së bashku me 15 të mitur të tjerë paraqitën një ankesë me Kombet e Bashkuara me pretendimin se pesë ndër fuqitë më të mëdha ekonomike të botës kanë shkelur të drejtat e njeriut duke mos ndërmarrë vendime adekuate për të ndaluar krizën klimatike, raporton CNN.

Ky peticion përfshin emrat e pesë shteteve – Gjermanisë, Francës, Argjentinës, Brazilit dhe Turqisë. Sipas këtij peticioni këto shtete nuk i janë përmbajtur obligimeve të tyre ndaj Konventës mbi të drejtat e fëmijëve.

Kjo ankesë vjen në kohën kur Kombet e Bashkuara janë duke mbajtur një samit mbi veprimet që duhet marrë mbi çështjen e ndryshimeve klimatike, ku po marrin pjesë shumë udhëheqës nga bota.

Menjëherë në anën tjetër të rrugës në një konferencë për shtyp Thunberg dhe fëmijët e tjerë, që i janë bashkangjitur peticionit, po e shprehin zhgënjimin e tyre në lidhje me mungesën e rëndësisë që liderët botërore po e tregojnë  ndaj çështjes së ndryshimeve klimatike.

Fëmijët e tjerë të cilat vijnë nga 12 vende të ndryshme të botës deklarojnë se janë shkelur të drejtat e tyre njerëzore. Ata thonë se jeta e tyre tashmë është ndikuar nga ndryshimet klimatike dhe në të ardhmen jeta e tyre do të rrezikohet nëse vazhdohet kështu.

“ Ju m’i keni vjedhë ëndrrat dhe fëmijërinë me fjalët e juaja boshe- por prapëseprapë unë jam një prej atyre me fat,” tha Thunberg. “Njerëzit po vuajnë, njerëzit po vdesin”.

Përgatiti: Edona Shala