Greqia po i lë refugjatët pa ushqim

Organizatat për të drejtat e njeriut të hënën (18 tetor) akuzuan autoritetet greke për mungesë të furnizimit me ushqim të refugjatëve dhe azilkërkuesve dhe politika të ashpra ndaj tyre.

“Megjithëse praktikat ndryshojnë nga rajoni në rajon, vlerësohet afërsisht se 60 për qind e njerëzve që jetojnë në kampe nuk marrin ushqim”, thanë njëzet e gjashtë organizatat, përfshirë Këshillin Grek të Refugjatëve dhe Komitetin Ndërkombëtar të Shpëtimit.

“Midis atyre që kanë mbetur të uritur, 25 për qind janë gra (përfshirë gratë shtatzëna), 40 për qind janë fëmijë, pacientë kronikë dhe pacientë me kushte të veçanta mjekësore dhe ushqyese. Në disa vende, ushqimi nuk u sigurohet edhe atyre që janë vënë në karantinë për shkak të COVID-19 “, shtuan organizatat.

Duke iu përgjigjur pretendimeve, ministria e Migracionit e Greqisë tha se “të gjithë azilkërkuesit në kampet në ishuj dhe kontinent kanë të drejtë për ushqim” dhe furnizohen me tre vakte në ditë.

Por, autoritetet greke thanë se furnizimi nuk përfshin refugjatët që “duhet të largohen” nga kampet, ndërsa migrantët, kërkesat e të cilëve për azil janë refuzuar “janë të detyruar të largohen nga vendi”.

Ministria shtoi se refugjatët “kanë të drejtë të punojnë dhe mund të aplikojnë për shtesa për mbështetje të mëtejshme”, përfshirë një program integrimi të financuar nga Bashkimi Evropian.

Numri i saktë i refugjatëve dhe azilkërkuesve aktualisht në Greqi është i paqartë.

Një regjistrim mbarëkombëtar më vonë këtë muaj pritet të sqarojë çështjen, tha përfaqësuesja e agjencisë së OKB -së për refugjatët në Greqi, Mireille Girard.

Girard tha se sipas disa vlerësimeve të fundit në Greqi janë rreth 96.000 refugjatë dhe migrantë.

Në kulmin e krizës së migrantëve në vitin 2015, Detin Egje e kaluan 856.000 persona. Kjo shifër ra në 173.000 vitin e ardhshëm, dhe në vetëm 30.000 më 2017. Mbase për shkak të pandemisë, në vitin 2020 kjo shifër ishte vetëm 10.000./REL