Greqia kundërshton komentet e ministrit turk për pakicën myslimane

Greqia ka reaguar me zemërim ndaj një deklarate të ministrit të Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu, i cili tha se anëtarët e një pakice myslimane në Greqinë veriore janë turq dhe që ata nuk gëzojnë të drejtat e plota qytetare.

Deklarata e ministrit Çavusoglu, u bë gjatë një vizite private në rajonin verior grek të Thrakisë, një ditë para takimeve të tij zyrtare në Athinë me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe ministrin e jashtëm, Nikos Dendias.

“Ne dëshirojmë që turqit në Thraki të gëzojnë të njëjtat të drejta që i sigurojmë ne Kishës Ortodokse Greke dhe pakicës greke”, tha Çavusoglu.

Zyrtarët e BE-së të shqetësuar me sundimin e ligjit në Turqi (evropaelire.org)

Një shekull pasi të dy vendet bënë një luftë që zhvendosi më shumë se një milion njerëz në të dy anët e kufirit, Turqia thotë se komuniteti mysliman me rreth 120,000 njerëz në rajon është një pakicë turke, një pozicion i refuzuar nga Athina, e cila i quan ata si myslimanë grekë.

“Përpjekjet e vazhdueshme të Turqisë për të shtrembëruar realitetin, si dhe pretendimet e saj për mungesë të mbrojtjes së të drejtave të këtyre shtetasve ose diskriminim, janë të pabazuara dhe refuzohen plotësisht”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Greke, Alexandros Papaioannou, përmes një deklarate për media.

Të dyja vendet – anëtare të aleancës së NATO-s – janë në mosmarrëveshje për çështje të ndryshme, që nga pretendimet territoriale detare në Mesdheun lindor deri te statusi i Qipros dhe problemi me migrantët.

Vitin e kaluar, Turqia dhe Greqia ishin afër një konflikti të armatosur kur anijet detare të tyre ishin afër njëra-tjetrës gjatë një mosmarrëveshjeje për kërkimet e gazit.

Tensionet janë lehtësuar pak muajt e fundit pasi zyrtarët rifilluan bisedimet mbi mosmarrëveshjet e tyre pas një ndërprerjeje pesë-vjeçare./REL/