Gjendja pas tërmetit tragjik në Turqi, Foto: CNN

Greqia dhe Turqia kërkojnë të përmirësojnë raportet

Ministri i Jashtëm i Greqisë ka vizituar më 12 shkurt Turqinë, për t’i ofruar mbështetje pasi ky shtet u godit të hënën nga tërmete shkatërruese. Kjo vizitë u realizua pavarësisht rivalitetit të kamotshëm të këtyre dy anëtarëve të NATO-s.

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias, u takua me homologun e tij turk, Mevlut Cavugoslu, dhe më pas të dy hipën në një helikopterë për të vizituar zonat e prekura nga tërmetet.

Vizita e Dendias shënon vizitën e parë të një ministri evropian në Turqi që nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit.

“Dua të përcjell te udhëheqja turke dhe populli turk ngushëllimet më të sinqerta nga Qeveria e Mitostakis dhe nga i gjithë populli grek për humbjet pas dy tërmeteve shkatërruese”, tha Dendias gjatë konferencës për media në Cavugoslun në Antakia, duke iu referuar kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis.

“Kjo tregon solidaritetin e popullit grek me Turqinë dhe me popullsinë turke. Greqia është një ndër shtetet e para që ka thirrur Turqinë për t’i ofruar ndihmë pas tërmeteve”, shtoi Cavusoglu.

Greqia dhe Turqia kanë rivalitet që daton me shekuj, por rivaliteti mes tyre është përkeqësuar për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale dhe të energjisë dhe së fundmi nga kërcënimet e bëra nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, për pushtim.

Por, të dy shtetet fqinje, që gjenden mbi dy linja sizmike, kanë traditë që ta ndihmojnë njëra-tjetrën gjatë fatkeqësive natyrore.

Cavusoglu kujtoi ndihmën që shtetet i kishin dhënë njëra-tjetrës më 1999, kur Turqia dhe Greqia u goditën nga tërmetet.

“Shpresoj që do të bëjmë përpjekje për të gjetur zgjidhje për mosmarrëveshjet tona përmes dialogut, që do të zhvillohej në një mënyrë të sinqertë”, tha kryediplomati turk.

Dendias po ashtu tha se “ne nuk kemi nevojë të presim që të ndodhin fatkeqësi natyrore për të përmirësuar raportet tona”, teksa shtoi se ndihma për Turqinë do të vazhdojë.

Nga tërmetet e fuqishme të 6 shkurtit, në Turqi dhe Siri deri më tani janë konfirmuar mbi 28.000 viktima.