Greqia dhe Bullgaria me marrëveshje për të ulur varësinë nga energjia ruse

Greqia dhe Bullgaria kanë nënshkruar në Athinë marrëveshje për reduktimin e varësisë së tyre ndaj gazit dhe naftës ruse. Kjo do të bëhet përmes një gazsjellësi të ri.

Këto shtete të Ballkanit do të bashkëpunojnë në prokurimin dhe ruajtjen e gazit natyror dhe do të “eksplorojnë” në krijimin e një gazsjellësi të ri midis portit të Alexandrapolisit dhe Burgasit, tha zyra e kryeministrit të Greqisë.

Marrëveshjet janë “një hap drejt qëllimit strategjik të autonomisë energjetike evropiane”, tha kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, pasi u takua me presidentin bullgar, Rumen Radev.

Ai tha se kompanitë greke do të jenë në gjendje të ruajnë gazin natyror në ndërtesat nëntokësore në Çiren, ndërkaq kompanitë bullgare do të kenë qasje në terminalin grek të Revitusës.

“Të dy shtetet do të kenë qasje të garantuar në ndërtesat që janë kritike për sigurinë e tyre energjetike”, tha Mitsotakis.

Ai tha se marrëveshja “kthen dy shtetet tona në rrugë të rëndësishme për shpërndarjen e gazit, jo vetëm nga Greqia në Bullgari, por edhe në pjesën tjetër të Evropës”.
Të dy shtetet kanë përshpejtuar projektet e tyre për t’u larguar nga varësia ndaj gazit dhe naftës ruse.

Më herët gjatë shkurtit, Bullgaria nisi ndërtimin e një gazsjellësi që e lidh atë me Serbinë, ndërkaq Greqia ka rritur kapacitetet e saj për të ruajtur në depo gazin e lëngshëm natyror./REL