Ilustrim

Greqia akuzon Turqinë se po tenton të "provokojë” përshkallëzim të situatës në Egje

Të premten, Greqia e akuzoi Turqinë se po dëshiron të “provokojë përshkallëzim të situatës” në Detin Egje, përmes manovrave “të rrezikshme” dhe ndihmës joligjore që po u jep migrantëve.

“Mëngjesin e sotëm, Rojet bregdetare greke kanë raportuar për një sërë incidentesh me Rojet bregdetare turke, të cilat kanë shoqëruar anijet me migrantë deri te kufiri me Evropën, në përpjekje për të provokuar përshkallëzim me Greqinë”, tha Ministria e Migracionit e Greqisë në një njoftim për media, transmeton AFP.

Rojet bregdetare greke më herët njoftuan se një nga anijet e tyre në afërsi të ishullit Lesbos ishte “ngacmuar” nga një anije turke, e cila, sipas autoriteteve greke, ishte përfshirë në “manovra të rrezikshme”.

Greqia publikoi një video ku shihej një anije e marinës turke, që kalonte me shpejtësi pranë një anijeje greke, duke shkaktuar dallgë të mëdha.

Rojet bregdetare greke thanë se edhe dy incidente të tjera janë regjistruar, ku anijet e kontrollit të Turqisë, pretendohet se kanë tentuar që të ndihmojnë migrantët që të hyjnë në ujërat greke.

Në një prej incidenteve të pretenduara, Greqia tha se dy anije të marinës së Turqisë, tentuan “të shtynin” një anije me migrantë në ujërat greke.

Athina ka paralajmëruar Ankaranë që të bëjë patrulla më të kujdesshme, në mënyrë që të mos lejojë qindra migrantë dhe azilkërkues të nisen drejt Evropës.

Po ashtu, Greqia vazhdimisht ka kërkuar nga Turqia që të pranojë 1.500 azilkërkues të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil nga autoritetet greke.

Javën e kaluar, gjatë një vizite në Lesbos, Komisionerja për punë të brendshme i Bashkimit Evropian, Ylva Johansson i bëri thirrje Turqisë që “urgjentisht” të riniste pranimin e migrantëve nga Greqia./REL