Grenell: Zhvillimi ekonomik dhe vendet e punës janë injoruar në dialogun Kosovë-Serbi

I dërguari i posaçëm i presidentit të ShBA-së Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell ka thënë se janë të përqëndruar në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendve të reja të punës në të dyja vendet.

Grenell ka shtuar se Uashingtoni beson se kjo pjesë është injoruar në dialog.

“Uashingtoni është përqendruar në zhvillimin ekonomik dhe vendet e punës – ne besojmë se kjo është injoruar në dialog. Por ne nuk mund të ndihmojmë kur tarifat e Qeverisë së Kosovës vazhdojnë të dëmtojnë Kosovën”, ka shkruar ai në Twitter, duke kërkuar që ky vendim të hiqet.

Emisari Grenell ka shtuar se çështjet politike do të zgjidhen nga të dyja palët e jo nga Uashingtoni.

Pas presionit ndërkombëtar, Presidenti Thaçi ka bërë thirrje që tarifa 100 përqind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake të hiqet ndërkaq Kryeministri Kurti ka paralajmëruar heqjen e pjesërishme të vendimit duke filluar nga 15 marsi.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezullar që nga fundi i vitit 2018, kur Qeveria e kaluar e Kosovës në krye me Ramush Haradinajn i vendosi tarifë 100 për qind produkteve të importuara nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.