
Grenell uron kosovarët për pavarësi, kujton Thaçin: Duhej të festonte në Prishtinë, jo pas hekurave në Hagë
Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si Emisar Presidencial për Misione të Posaçme ka uruar qytetarët e Kosovës për 17-vjetorin e pavarësisë.
Përmes rrjetit social X, në këtë përvjetor, Grenell ka kujtuar edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, duke thënë se ai duhej të ishte në Prishtinë duke festuar, e jo në paraburgim në Hagë.
“I uroj të gjithë miqve të mi në #Kosovë një festë të gëzueshme dhe të sigurt në 17 vjetorin e pavarësisë së tyre. Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë.”- ka shkruar Grenell në X.
Ai shtoi se evropianët nuk arritën të veprojnë kundër kësaj padrejtësie ndaj Thaçit.
“Evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit. Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie – për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund.” –ka shkruar tutje Grenell.
I wish all my friends in #Kosovo a joyous and safe celebration on the 17th anniversary of their independence.
However, this milestone is overshadowed by a grave injustice. The founding father of Kosovo’s statehood, President Hashim Thaçi, should be celebrating today in Pristina…
— Richard Grenell (@RichardGrenell) February 17, 2025
Më 17.02. 2025, shënohet 17-vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.
Më 17.02.2008, në ora 15:39, në Kuvendin e Republikës së Kosovës në Prishtinë, Kosova shpalli Pavarësinë dhe u deklarua shtet i pavarur dhe demokratik. Deklaratën e Pavarësisë e lexoi Hashim Thaçi, kryeministri i atëhershëm i Kosovës.
Shpallja e Pavarësisë u bë në një mbledhje të jashtëzakonshme, ku morën pjesë 109 deputetë nga gjithsej 120 të Kuvendit të Kosovës, një shumicë e fuqishme që përfaqësoi dëshirën e popullit të Kosovës për liri dhe mëvetësi.
Ky moment historik shënoi një pikë kthese të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë, pas dekadash të luftës dhe represionit. Shpallja e Pavarësisë u realizua pas një periudhe të gjatë negociatash dhe përpjekjesh për të arritur një zgjidhje paqësore.
Ajo shënoi fundin e një periudhe të gjatë pas Luftës së Kosovës (1998-1999) dhe administratës ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara, duke hapur një kapitull të ri për zhvillimin e vendit.
Serbia kishte kundërshtuar legjitimitetin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në korrik të 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i dha legjitimitet të plotë pavarësisë së Kosovës që ishte shpallur 2 vjet e gjysmë më parë.
Kosova u njoh nga shumë shtete të rëndësishme, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e shteteve të Bashkimit Europian, një hap i rëndësishëm për integrimin dhe afirmimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Para shpalljes së Pavarësisë, Kosova ishte nën administratën e Kombeve të Bashkuara (UNMIK) për më shumë se 9 vjet. Kjo ishte një periudhë e ndihmës ndërkombëtare dhe përpjekjeve për krijimin e institucioneve demokratike.
Para shpalljes së Pavarësisë, një plan i quajtur “Plani i Ahtisarit”, i propozuar nga Martti Ahtisaari, i cili ishte dërguar si dërguar special i Kombeve të Bashkuara, ofroi një kornizë për krijimin e një shteti të pavarur të Kosovës.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës është dokumenti themeltar që përcakton strukturën, funksionimin dhe parimet e shtetit të Kosovës. Ajo u miratua më 09.04.2008 dhe hyri në fuqi më 15.06. 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.