Grenell për Kurtin: Ai është gjithmonë anti amerikan

Richard Grenell, ish-emisari për dialogun Kosovë-Serbi, i ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka akuzuar sërish kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti se është anti amerikan.

Grenell përmes një publikimi në Twitter ka theksuar se Kurti ka qenë kundër politikave të ShBA-së të disa prej ish-presidentëve.

“Lideri i ri i Kosovës anti amerikan, i krahut të majtë Albin Kurti ka qenë kundër politikave të SHBA-ve të sugjeruara nga Bill Clinton, George Bush, Barack Obama dhe Donald Trump. Ai është gjithmonë anti-amerikan. Ekipi i Biden duhet ta ndalojë këtë”, ka shkruar Grenell.

Këtë deklaratë ai e ka publikuar shoqëruar nga një artikull ku interpretohet deklarata e Kurtit për shqyrtimin e mundësisë për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem, pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes të dyja vendeve.

Të hënën, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka pritur në takim ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar ku kanë biseduar për raportet mes dyja shteteve dhe hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për media ka njoftuar se kandidati për kryeministër nga kjo parti ka deklaruar se çështja se ku do të vendoset ambasada do të shqyrtohet.

Kurti i premton ambasadorit të Turqisë se do e shqyrtojë vendimin për vendosjes së ambasadës në Izrael