Grenell mohon se paguhet nga Serbia për lobim

Ish i dërguari i Administratës Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se nuk është e vërtetë se ai po paguhet nga shteti serb për lobim.

Ai reagoi pasi iu drejtua pyetja nëse paguhet 100 mijë dollarë në muaj ashtu siç ka pretenduar analisti politik serb, Dushan Janjiq.

“Një individ si ai nuk më njeh mua dhe nuk di asgjë për mua, shpif për mua, gënjen dhe një gazetari përgjegjëse sidomos në Ballkan, njerëzit duhet të dinë dhe duhet të kuptojnë që e vërteta duhet të vërtetohet sepse diçka si e tillë e dëmton reputacionin, unë nuk do ta bëja atë nëse është jolegale nëse marr të holla. E dyta nuk është e vërtetë, dhe njerëzit thonë gjëra të tilla kur nuk kanë fare ide për çka janë duke folur, për të bërë drama dhe lajme të rrejshme dhe kjo është shumë e dëmshme”, tha Grenell.

Ai kërkoi që të mos i bëhen pyetje që nuk janë të vërtetuara.

Reagimet e Grenellit u bënë në një intervistë të realizuar nga RTV Dukagjini.

Dushan Janjiq, analist politik serb ishte pyetur në lidhje me këtë çështje ndërsa kishte thënë se “Serbia po paguan shumë” duke mos specifikuar shumën pasi që siç ka thënë ai nuk e di.

“Ne madje e paguajmë Grenellin 100 mijë dollarë në muaj, nuk e di pse, kur shefi i tij nuk është në pushtet”, citohet të ketë thënë Dushan Janjiq, raportoi portali “Antena M”.

Po ashtu, Janjiq citohet të ketë thënë se Serbia vazhdon të lobojë në mënyrën e vjetër, e cila, sipas tij, është “joproduktive”.

Richard Grenell ka qenë i dërguari i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, për negociatat Kosovë-Serbi.

Grenell është i njohur për qëndrimet kundër kryeministrit Albin Kurti.