Richard Grenell - Emisar amerikan për dialogun Kosovë - Serbi

Grenell mbështet qëndrimin e SHBA-ve kundër reciprocitetit

Emisari i  Donald Trump-it për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka ndarë të njëjtin mendim me ambasadën e SHBA-ve sa i përket vendimit të Qeverisë së Kosovës për largimin e tarifës dhe vendosjen e reciprocitetit nga qeveria Kurti.

Grenell e ka shpërndarë në Twitter reagimin e ambasadës së SHBA-ve të cilët kanë kërkuar largimin e tarifës pa vendosur barriera të tjera.

“Shtetet e Bashkuara ishin të qarta se Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika lëndojnë njerëzit e Kosovës dhe e ngulfatin ekonominë e vetë Kosovës. Mbesim në kundërshtim të veprimit të fundit për zbatimin e masave të reciprocitetit ndaj qarkullimit të mallrave nga Serbia. Këto masa krijojnë më shumë probleme në kohën kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjë ajrore, hekurudhore, dhe për autostradë, të arritura mes të dyja palëve, do të rrisin zhvillimin ekonomik kur ato të zbatohen, dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për dialog të suksesshëm”, thuhet në reagimin e ambasadës së SHBA-ve.

Qeveria në detyrë e Kosovës ka votuar për heqjen e tarifës 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë-Hercegovinës dhe zëvendësimin e saj me masën graduale të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Ndërsa SHBA-të dhe emisari Grenell vazhdimisht kanë kërkuar largimin e tarifës për tiu kthyer tavolinës së bisedimeve me Serbinë.