Richard Grenell

Grenell mbërrin në Beograd, nesër takohet me Vuçiq

I Dërguari Special nga Amerika për Dialogun Beograd-Prishtinë, Ricard Grenell pas vizitës në Kosovë, tashmë ka mbërritur në Beograd, raporton Tanjug.

Sipas këtij mediumi, Grenell pritet që gjatë ditës së nesërme në mëngjes të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, ndërkohë, ka thënë se ai respekton entuziazmin dhe energjinë që amerikanët, përfshirë Grenell që të investojnë në adresimin e dialogut, por se sipas tij nuk do të shkojë aq lehtë.

Grenell para se të shkonte në Beograd, dje në mbrëmje është takuar me presidentin e Kosovës, Hashim Thaci, ku ka thënë se interesi i tij është që t’i japë punë dhe zhvillim ekonomik popullit të Kosovës.

Kurse, sot gjatë ditës ai është takuar më liderët e LDK-së dhe LVV-së.

Pas takimit me Isa Mustafën, Grenell pati lëvdata për karrierën e tij politike, derisa në një konferencë të shkurtë për media, Grenell tha se i ka sugjeruar LDK-në që taksa të hiqet sa më shpejtë, derisa u shprehë se nuk kanë diskutuar për formimin e Qeverisë.

Kurse, pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u shpreh se në formimin e qeverisë inkurajojnë vetëm që të ndiqet rruga ligjore.

Pas takimit të tij, nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar formimin e qeverisë së re në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit.

LVV dhe LDK edhe pas më shumë se 100 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet e parakohshme, nuk kanë arritur një ujdi për bashkëqeverisje.

LDK ka kërkuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës deri në marrjen e postit të presidentit ndërsa LVV i ka ofruar 6 ministri dhe postin e presidentit.