
Grenell kritikon Kurtin: I solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët
Richard Grenell, i emëruar nga presidenti amerikan Donald Trump si emisar presidencial për misione të posaçme, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për dëmtim të marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Grenell ka thënë se Kurti i solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët.
“Marrëdhëniet e SHBA-së me Kosovën vuajtën gjatë presidencës së Joe Biden. Departamenti i Shtetit i Bidenit dhe Shtëpia e Bardhë kritikuan veprimet dhe paaftësinë e Kurtit për të rritur ekonominë e Kosovës. Kurti zgjodhi grindjet politike dhe ndërmori veprime të njëanshme. Ai solli marrëdhëniet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët. Ai u dënua nga udhëheqësit europianë, NATO dhe ekipi i Joe Biden. Kurti mbështeti Joe Bidenin dhe Kamala Harrisin dhe megjithatë ai ishte kritikuar nga ta” – ka shkruar Grenell më 23.01.2025.
The U.S. relationship with Kosovo suffered during Joe Biden’s presidency.
Biden’s State Department and White House criticized Kurti’s actions and inability to grow Kosovo’s economy.
Kurti picked political fights and took unilateral action. He brought Kosovo-U.S. relations to… https://t.co/63RXn8r1hH
— Richard Grenell (@RichardGrenell) January 23, 2025
Një ditë më parë, të mërkurën, më 22.01.2025, Grenell ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, lidhur me qasjen ndaj Kosovës të Administratës së ish-presidentit Joe Biden dhe asaj të ish-presidentit Barack Obama.
Gjatë një interviste për RTK, Konjufca ka thënë se qasja e ish-presidentëve amerikanë, Joe Biden dhe Barack Obama, e ka vënë Kosovën në një pozicion të disfavorshëm karshi Serbisë.
Sipas tij, këto veprime të dy ish-presidentëve amerikanë, kanë qenë shtysë edhe e themelimit të Gjykatës Speciale.
“Ata kaluan 4 vitet e fundit duke komplimentuar Joe Bidenin dhe duke marrë pjesë në konventat dhe festat e tij. Pse nuk u ankuan kurrë më parë?”- ka shkruar Grenell në “X”.
Gjatë mandatit të parë të Trumpit në krye të SHBA-së, Richard Grenell ishte emëruar si i dërguar i Administratës së tij në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.