Grenell i thotë Veselit se Kurti ka të drejtë për heqjen e taksës

I dërguari i Posaçëm i Presidentit të ShBA-së, Donald Trump, për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, i është përgjigjur kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit lidhur me qëndrimet e tij për taksën 100 për qind.

Grenell ia ka kujtuar Veselit se ShBA-të po kërkojnë që Kosova ta heqë taksën ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, dhe se sipas tij kryeministri Albin Kurti ka të drejtë në paralajmërimin për heqjen e kësaj mase doganore.

“Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të heqë tarifën 100%. Ajo dëmton Kosovën dhe largon bizneset nga krijimi i vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, ka shkruar Grenell.

Ambasadori Grenell, e ka shpërndarë një shkrim të Veselit që  ky i fundit e kishte publikuar me 21 janar të këtij viti, kur ishte arritur marrëveshja mes Prishtinës dhe Beogradit për linjën ajrore.

Kryetari i PDK-së, sa ishte pjesë e koalicionit qeverisës PAN, pas presionit ndërkombëtar, kishte kërkuar pezullimin e taksës, ndërkaq tash i ka bërë thirrje Kurtit që mos ta heq atë.

Kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar se taksa ndaj Serbisë do të zëvendësohet me reciprocitet, përderisa partitë opozitare si PDK-ja dhe AAK-ja po kundërshtojnë heqjen e taksës.

Në anën tjetër, faktori ndërkombëtar në vazhdimësi po këkron që të largohet taksa dhe të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi.