Zjarrfikësit në Greqi duke shuar zjarret në afërsi të fshatit Rodopoli, në veri të Athinës. 27 korrik, 2021. FOTO: REL/Reuters

Grekët nuk i lëshojnë shtëpitë pavarësisht zjarreve përreth

Mesazhe celularësh nga autoritetet greke për kërcënimin nga zjarri dhe instruksione për evakuim u janë dërguar gjatë gjithë natës banorëve të zonave të përfshira nga zjarri, ka raportuar një gazetare për “News Channel” të BBC-së.

Marina Rigou jeton në Erithrea afër Athinës dhe është paralajmëruar se mund të evakuohet në çdo moment. Ajo ka thënë se mesazhi i fundit nga autoritetet greke i është dërguar vetëm pak minuta më parë.

“Strehimoret janë përgatitur për ata që evakuohen nga shtëpitë e tyre, si dhe kafshët janë shpëtuar nga rajonet e prekura”, ka theksuar Rigou për televizionin britanik.

Qytetarët duhet t’u binden urdhrave për strehim, por “afërmendsh se shumë prej njerëzve refuzojnë t’ua kthejnë shpinën shtëpive sepse duan t’i shpëtojnë”, ka thënë ajo.

Ministria greke e Krizës së Klimës dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka publikuar të dielën mbrëma hartën e parashikimit të rrezikut të zjarrit, duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme në disa rajone.

Derisa gazetarët e BBC-së po raportonin temperaturat e larta dhe erërat e fuqishme kanë vazhduar dhe pritet të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme. Rajonet e Atikës, Greqisë Qendrore dhe Peloponezit janë më të rrezikuarat.

Temperaturat e larta vazhdojnë të mbizotërojnë në Greqi, me maksimalen në Athinë që ka arritur mbi 40 shkallë Celsius. Kështu pritet të jetë edhe gjatë disa ditëve të javës.

Alarmi i verdhë për nxehtësi të madhe është aktivizuar në pjesën më të madhe të Greqisë edhe për të martën. Sidomos gjatë pasdites. Me presionin e ulët në lindje dhe të lartin në perëndim të Greqisëm, janë krijuar kushtet klimatike për një kanal erërash të forta, duke depërtuar në mbarë vendin.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com