Mitrovica e Jugut, Foto: KALLXO.com

'GreenFest' shënon edicionin e 14-të

Edicioni i 14-të i ‘GreenFest’ do të mbahet nga 14 deri më 18 gusht 2024, në parkun e qytetit në Mitrovicë. Programe edukative, shfaqje filmash me tematika mjedisore, punëtori për fëmijë, kulturë dhe programe rekreative do ta përcjellin këtë edicion të ‘GreenFest’.

Menaxhere e festivalit “GreenFest” Diellza Jëlliqi, në një bashkëbisedim për KALLXO.com ka thënë se përgaditjet kanë përfunduar për këtë edicion.

“Për momentin jemi duke rregulluar pjesën e zërimit, ndriçimit dhe hapësirës se ku do të përformojnë arstistët përgjatë këtyre netëve”- ka deklaruar ajo.

14 vjetori i “GreenFest” do të nisë me ekspozitën “Projekti i Drinit”, më pas do të pasojë me dokumentarin “In the Name of Vjosa”, dokumentari i regjisorëve Matthias Leuplod dhe Eric Berg që flet për lumin Vjosa në Shqipëri.

Jëlliqi për KALLXO.com ka thënë se në këtë edicion të 14-të të “GreenFest” do të perfmojnë artsitë nga Shqipëria.

Netët verore të 15, 16 dhe 17 gushti do të shoqërohen në tingujt e muzikës nga Alban Skenderaj, Vlashent Sata, Linda Rukaj.

Ditët e “GreenFest” do të shoqërohen edhe me programe edukative për fëmijët, mundësi për shpalosjen e ideve me mendimeve për mbrojtjen e ujit në hapësirën e “Green Talks”.

Mbramjet e gjata në hapsirë të hapur në parkun e qytetit do të pasurohen edhe me promovimin e librit “Mbrojtësit e Planetit” nga autori Arben Kllokoqi.

Shumëllojshmëria e këtij edicioni të 14-të vazhdon edhe për ditët e tjera, me Kajak n’Ibër, Pilates, Çiklizëm, Hiking, Yoga dhe viztë të gjithë lumenjve të Mitrovicës.

Ky edicion i 14-të i “GreenFest” në këtë vit do të përqendrohet në “Jeta nën ujë”.

Ajo që këtë vitë e ndryshon prej viteve të tjera “GreenFest” është tema “Lum Na”, që ironizon sjelljen tonë ndaj lumenjve dhe burimeve të ujit.

Gjatë kësaj periudhe kohorë aktivitetet që do të zhvillohen në këtë festival janë të gjitha pa pagesë, përveç koncerteve muzikore.

“Të gjitha aktivitetet e këtij festivali që fillojnë nga 14-18 gusht janë pa pagesë, përveç koncerteve muzikore ku bileta kushton për vetëm 10 euro dhe vlen për 4 netë të edicionit”- shtoi Jëlliqi.

Që nga krijimi i këtij festivali, “GreenFest” ka bashkëpunuar me organizata mjedisore vendore si: Fondacioni Jeshil, Ec Ma Ndryshe, Let’s Do it Peja, Balkan Green Foundation, ndërsa me ato ndërkombëtare si: Youth and Enivornment Europe, dhe me organizata të kulturës si: Dokufest, Anibar, Zana Literature Fest, Lumbardhi dhe Fondacioni 17.

“Të gjitha këto bashkëpunime me këto organizata kanë rezultuar në shkëmbimin e programit, përvojave, ekspertizës si dhe ndihmës në aspektin logjistik të festivalit”- deklaroi Jëlliqi.

GreenFest në historikun e tij është i njohur për promovimin e artistëve të rinj, duke i përfshirë programet artistike.

Ky edicion i 14-të  financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Komuna e Mitrovicës, Ambasada Suedeze, Community Development Fund, Europe House.

Ndryshe “GreenFest” është themeluar në vitin 2011, dhe që nga ai viti është rritur dhe u shndërrua në një ngjarje vjetore në Mitrovicë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Drejtorinë për Kulturë Rini dhe Sport në Mitrovicë, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje, deri në publikimin e këtij artikulli.