“Kurrë nuk do të më kishte shkuar ndërmend se do të punoja në një minierë”, thekson Karina Yatsina, dikur dado. Foto: New York Times

Gratë ukrainase po i bëjnë punët e burrave të mobilizuar në luftë

Gjithnjë e më shumë gra po i zëvendësojnë burrat e mobilizuar në Ushtrinë e Ukrainës. Por nuk ka mjaftueshëm gra për të përmbushur boshllëkun e fuqisë punëtore mashkullore që po prek ekonominë e vendit në luftë, shkruan gazeta “New York Times”, në një shkrim të gjatë për ndikimin e luftës në tregun lokal të punës.

Në një mëngjes të ditëve të fundit në Ukrainën lindore, Karina Yatsina, minatore, ishte e zënë me një shirit transportues në një tunel të errët të gjatë nja 350 metra. Dritat vezullonin në fund të boshtit, duke ua bërë dritë minatorëve vendin derisa mihnin qymyr.

Para një viti e gjysmë, Yatsina, 21 vjeçe, po punonte si dado. Pastaj shoqet i thanë se një minierë në qytezën lindore të Pavlohradit po punësonte gra për të zëvendësuar burrat e rekrutuar në ushtri. Paga ishte e mirë dhe pensioni goxha bujar. Dhe nuk kaloi shumë kohë para se Yatsina të shkelte tuneleve me pluhur, me një dritë të vendosur në ballë të helmetës në kokë.

“Kurrë nuk do të më kishte shkuar ndërmend se do të punoja në një minierë”, thekson Yatsina, derisa bën pushimin e shkurtër, e larë në djersë prej nxehtësisë së tunelit. “Kurrë nuk do ta çoja ndërmend”.

Yatsina është njëra prej 130 grave që kanë nisur punën në horizonte të thella në minierë prejse Rusia lansoi agresionin ndaj Ukrainës në shkurtin e vitit 2022. Ato tani operojnë shiritat që bartin qymyr deri në sipërfaqe, punojnë si inspektorë sigurie në punë ose i drejtojnë trenat që lidhin pjesë të ndryshme të minierës.

“Ndihma e tyre është e madhe, sepse shumë burra shkuan në luftë dhe më nuk janë të gatshëm për punë këtu”, ka thënë Serhiy Faraonov, zëvendësdrejtor i minierës, që drejtohet prej DTEK-ut, kompania më e madhe private e minierave në Ukrainë. Rreth një mijë punëtorë janë mobilizuar për luftë, ka thënë ai, duke treguar se miniera ka mbetur pa një të pestën e fuqisë punëtore të mëhershme mashkullore. Për të reduktuar ndikimin e mungesës së fuqisë punëtore, miniera ka punësuar 330 gra.

Ato janë pjesë e një trendi më të madh në Ukrainë, ku gratë përherë e më shmë po kryejnë punë që më parë kryheshin prej burrave, porse gjërat kanë ndryshuar për shkak të mobilizimit të burrave në luftë. Lufta po shkakton presion të madh në ekonomi, derisa fuqia punëtore e dominuar nga meshkuj po ka mungesë të resurseve. Gratë janë bërë timoniere autobusësh, saldatore në fabrika çeliku dhe punëtore deposh. Mijëra sosh i janë bashkuar vullnetarisht edhe ushtrisë.

Duke vepruar kështu, këto gra po riformësojnë forcën punëtore të dominuar tradicionalisht prej burrave në Ukrainë. Ekspertët thonë se kjo mendësi ishte krijuar prej mendësisë së trashëguar nga koha e Bashkimit Sovjetik. “Ka pasur një perceptim për gratë si punëtore të shtresës së dytë, ose se më pak mund të llogarisje në to”, ka thënë Hlib Vyshlinski, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Strategji Ekonomike me bazë në Kiev. Ai ka thënë se gratë ukrainase kaherë ishin përjashtuar nga punë të caktuara, jo vetëm për shkak të kërkesave fizike, por edhe pse punë të caktuara ishin konsideruar si shumë të ndërlikuara për to. Ka thënë se ka pasur shumë paragjykime.

Para luftës, 47 për qind e grave ukrainase punonin, tregojnë të dhënat e Bankës Botërore, Prej atëherë, rreth 1.5 milionë gra të punësuara, apo rreth 13 për qind e shifrës totale, janë larguar nga Ukraina, ka thënë Vyshlinski.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com