Gratë që kanë mposhtur sëmundjen e kancerit të gjirit rrëfejnë përvojën e tyre gjatë trajtimit në Kosovë

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit, në emisionin “Kallxo Përnime” po debatohet për betejën me kancerin.

Fitore Zenelaj, me profesion infermiere, tregon se në mars të vitit 2019 e ka kuptuar për herë të parë që ka kancer të gjirit.

Ajo ka folur për përvojën e saj gjatë trajtimit të sëmundjes së kancerit të gjirit.

Zenelaj ka thënë se mjeku i ka kërkuar të bëjë një kontrollë në klinikën e tij private.

“Herën e parë e kam kuptuar kur e kam prekur gjëndrën, në vitin 2019 në muajin mars, menjëherë jam orientuar në radiologji në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Nuk më ka ardhur mirë mënyra se si më ka pritur mjeku. Pasi ma bëri kontrollën më ka thënë se në ambulantën e tij private e paska kinse një aparat më preciz dhe kur shkova ishte i njëjti më atë të spitalit” – ka shpejguar ajo.

Sipas saj, bëhej fjalë për aparatin e ultrazërit.

Zenelaj ka thënë se për të bërë biopsinë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës lista ka qenë e gjatë dhe për këtë arsye ajo e ka kryer këtë shërbim në klinikë private.

“Kur ka ardhë puna te biopsia, unë kam aplikuar këtu në QKUK dhe lista e pritjes ka qenë e gjatë, më kanë thënë që duhet me pritë shumë. Kam apliku në kirurgjinë torakale në muajin gusht 2019 dhe më kanë thirrë kah nëntori” – ka thënë Zenelaj.

Fitore Zenelaj, Infermiere, 13.10.2022

Edhe Arnisa Osmani, e cila rreth katër vite më parë, ka qenë e diagnostikuar me kancer të gjirit, ka thënë se trajtimet i ka kryer në klinika private.

“Në Kosovë jam trajtuar mirëpo privat operimet i kam kry, biopsia brenda një jave më ka dalë, çdo send ka shkuar në rregull, kam paguar vet privat për arsye se kam pasë sigurim”- ka thënë ajo.

Osmani, themeluese e organizatës joqeveritare “Kam Shpresë”, ka thënë se për të bërë rrezatimin të diagnostikuarit presin gjatë.

Arnisa Osmani, OJQ “Kam shpresë”, 13.10.2022

Ndërsa, Arbela Statovci, e cila është kuruar në shtetin e Zvicrës, ka treguar se prej momentin që e ka verejtur  shenjat e para derisa ka ardhur rezultati i diagnozës, ka pritur katër ditë.

Statovci ka thënë se ka ardhur në Kosovë për të kontribuar në luftën kundër kancerit të gjirit.

“Kam hulumtu se kënd mundem me kontaktu në Kosovë, ose a ka shoqata qe merren me këtë temë për me i mbështetë në mënyrë financiare dhe me gjetë persona që paguajnë me i suportu gjatë fushatave dhe me dalë në opinion” – ka thënë ajo.

Arbela Statovci, Financiere, 13.10.2022

E Fitore Zenelaj ka treguar edhe për barnat që ka blerë gjatë trajtimit të sëmundjes së kancerit.

“Nuk e di me numra por nja dy apo tri herë Zoladexin (medikament), e kam ble dhe në atë kohë ka kushtuar diku 130 euro” – ka thënë ajo.

Muaji tetor është muaji i ndërgjegjësimit për parandalimin e kancerit të gjirit.

Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, bashkë me anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi, kanë vizituar Klinikën e Onkologjisë.

Haxhiu lavdëroi personelin shëndetësor të kësaj Klinike por theksoi mungesën e barnave për terapi onkologjike.

“Ndonëse përkushtimi i personelit shëndetësor është maksimal, shqetësuese mbetet mungesa e barnave për terapi onkologjike, ku furnizimi nga barnat e Listës Esenciale këtë vit ka rënë nën 70% , përderisa vitet e kaluara furnizimi me barna në Onkologji ishte rreth 90%” – shkroi ai në Facebook.

Haxhiu tha se është rritur edhe lista e pritjes për radioterapi dhe barhiterapi për shkak të problemeve që janë shkaktuar në Klinikën e Onkologjisë.

“Për shkak të problemeve që janë shkaktuar këtë vit në Klinikën e Onkologjisë është rritur lista e pritjes për Radioterapi dhe Barhiterapi. Problem shqetësues sipas drejtuesve të klinikës është mungesa e stafit.  Aparaturat mjekësore ekzistojnë, por ka raste kur nuk ka kush të punojë me to, prandaj shumë herë transferohet stafi nga klinikat tjera për t’iu ofruar shërbime pacientëve”- theksoi deputeti Haxhiu.