Lokali NANA'T në Gjilan

Gratë në biznes përballë COVID-19 

Duke qenë veçse të pakta në numër, bizneset e grave pësuan goditje nga mbyllja në pandemi, derisa për shumë pakot e rimëkëmbjes nuk kanë bërë mjaftueshëm për të siguruar vazhdimësinë e bizneseve.

 Tavolinat e vendosura në lokalin e Lirije Biqkaj dhe Qendresa Ibraj Berisha në Gjilan ishin në numër më të madh para pandemisë COVID-19, por për shkak të masave nga Qeveria e Kosovës numri i tyre është dashur të reduktohet, duke ndikuar edhe në uljen e klienteve që ky biznes mu t’i ketë.

Coronavirusi i dha një goditje shumë të madhë bizneseve, e në veçanti atyre të udhëhequra nga gratë. Në Kosovë sipas një hulumtimi të Open Data Kosovo vetëm 13% e bizneseve janë në pronësi të grave.

Biqkaj dhe Berisha  janë bashkëpronare të një lokali (NANA’T)  në qytetin e Gjilanit, të cilin e kanë hapur para rreth dy viteve. Ato në pranverën e vitit të kaluar kishin pasur plane për zgjerimin e lokalit, që u prishën nga pandemia.

Lokali NAN’AT në Gjilan
Lirije Biqkaj dhe Qendresa Ibraj Berisha, pronare të lokalit NAN’AT, Gjilan

Pronaret e biznesit rrëfejnë se që nga shfaqja e pandemisë, COVID-19 ka qenë shumë e vështirë funksionimi i lokalit me numrin e puntorëve si para marsit të 2020-tës.

 “Na ka lonë me pasoja qysh jo. Tash i kemi dy punëtore, katër punëtore i kemi pasur. Nga dy javë  njëherë ua kemi bo, por dy janë tërheq”, tha Lirije Biqkaj.

Tutje, Alidemaj shton se biznesi i tyre nuk ka e ka “ndjerë” dorën e shtetit gjatë kësaj kohe.

“ Asnjë cent, ka 170 euro për punëtore se ne dyja nuk na ka taku. Po, shpresojmë në këtë Ligjin për Rimëkëmbje”, tha ajo.

Kuvendi i Republikës së Kosovës në dhjetor të vitit të kaluar miratoi Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në të cilën përfshihet ndihma prej 200 milionë eurosh për bizneset të cilat kanë pësuar si shkak i pandemisë COVID-19. Në kuadër të këtij ligji parashihen edhe pagesat prej 300 eurosh për puntorët të cilët e kanë humbur vendin e tyre të punës, por që ende nuk kanë filluar të ekzekutohen.

“Të gjitha bizneset të cilat kanë qenë të mbyllura apo kanë pasur problem të funksionit të rregullt gjatë kohës së pandemisë, por të cilat kanë qenë aktive në regjistër të Administratës Tatimore të Kosovës, para datës 29 shkurt 2020, mbështeten financiarisht nga ana e buxhetit të Republikës së Kosovës me mjete monetare për t i mbuluar shpenzimet operative në shumën prej 200 milionë euro, (200,000,000)”, thuhet në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në Qeverinë e Kosovës nësë të njejtit kanë paraparë ndonjë masë shtesë në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike për bizneset që udhëhiqen nga gratë por ata nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.

 Banka Qendrore e Kosovës kishte parashikuar një rënie ekonomike prej 7%, rënie kjo me e ulëta në 20 vitet e fundit. Sipas BQK-së deri në tetor të 2020-tës vlera e kredive të reja nga bizneset kishte arritur në vlerën 800 milionë euro.

 Liriana Jaka Gashi nga “Kosovo Women for women” tregon se si shkak i krizës ekonomike mund të ndodh edhe shuarja e bizneseve që udhëhiqen nga gratë.

“Së pari që shumica e bizneseve të grave janë biznese të vogla, të cilat përfitimet nga biznesi i shfrytëzojnë ose për të jetuar ose për të investuar. Shuarja mund të ndodhë në vazhdim sepse sipas shumë vlerësimeve kriza ekonomike do të ndjehet edhe më tepër në një të ardhme të afërt. Ajo që duhet të bëhët nga të gjithë është blerja e produkteve vendore posaqërisht bizneseve që janë në pronësi të grave, që patriotizmin mos ta shprehim vetëm duke festuar e uruar përvjetorin e pavarësisë”, tha ajo.

Jaka Gashi hedh dritë edhe mbi një problem tjetër me të cilën janë ballafaquar gratë që udhëheqin me biznese.

“Në fazën e parë pas karantinës shumë prej bizneseve me të cilat bashkëpunojmë nuk kishin aplikuar ndihmën të cilën e pati ofruar Qeveria e Kosovës, duke mos patur informata të nevojshme ose për shkak të obligimeve rreth familjes, duke mos patur kohë ta kompletojnë dosjen për aplikim”, shton Jaka Gashi.

Sipas një studimi të Insititutit Riinvest të vitit 2017, pothuajse 94% të bizneseve në pronësi të grave janë biznese individuale. Konkretisht, 29% janë biznese pa punëtorë dhe rreth 64% janë mikro biznese me më pak se 5 punëtorë ndërsa vetëm 7% e bizneseve të anketuara janë të vogla.

Adelina Tershani nga Rrjeti i Grave Kosovare thotë se gratë tradicionalisht përballen me sfida të shtuara në qasjen në kredi bankare, sepse ato zotërojnë më pak kapital, më specifikisht, ato përballen me diskriminim në baza gjinore në qasje në kapital.  

Në dhjetor të vitit 2020, RrGK ka publikuar  raportin “Pandemia nuk njeh gjini”, që është një analizë fiskale buxhetore mbi reagimin e Qeverisë së Kosovës ndaj pandemisë COVID-19, nga perspektiva gjinore.

“Nga ky hulumtim është vërejtur se nuk është marrë për bazë ndonjë analizë gjinore e cila do t’i informonte më mirë për të gjitha masat e ndermarra ndaj pandemisë dhe do të mundësonte që përspektiva gjinore të reflektohej në këto masa. Rrjedhimisht, nuk ka pasur ndonjë lehtësim të theksuar apo ndihmë për bizneset e grave në Kosovë”, tha Tërshani.

Vjosa Rexha e cila biznesin e saj të konservimit të turshive e kishte hapur në shtator të vitit të kaluar, në mesin e pandemisë, punën e saj tashmë e ka zhvendosur nga fabrika në shtëpi.

Vjosa Rexhaj, Vushtrri

Vjosa hallin e saj më të madh e ka për dy gratë të cilat për një kohë është dashur t i largojë nga puna ndërsa shton se vetëm njëherë është ndihmuar nga shteti.

“Ka pas shumë ndikim pandemia, pasi që shitja ka qenë më pak, në fillim nuk është dje shumë por  tash shitja është me vogël. Mua personalisht më është daashur që dy punëtore ti largoj për një kohë nga puna për shkak të mos arritjes së përmbushjes së detyrimeve ndaj tyre. Vetëm njëherë kam arrit të marrë ndihmë nga shteti”, thotë ajo.

 Në kuadër të rishikimit të Buxhetit të Kosovës në korrik të vitit të kaluar, ishte miratuar Kodi për Mbeshtetjen e Bizneseve të Grave.

Shuma e cila ishte ndarë, ishte rreth 400 mijë euro e cila do të ju shërbente si ndihmë deri në fund të vitit.

 

Projekti “Rritja e standardeve të gazetarisë përmes kontrollimit të fakteve” financohet nga Ministria e Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar përmes Ambasadës Britanike në Prishtinë.

 Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi vetëm e Internews Kosova/KALLXO.com dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit të Mbretërisë së Bashkuar, Albany Associates, Media Centar Sarajevo apo Fondacionit për Informim, Media, Dialog dhe Edukim (KosovaLive/KIMDE).