Gratë kërkojnë trajtim dhe përfaqësim dinjitoz në shoqërinë kosovare

Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur  tryezën me temën “Dialogu Shoqëror: Gratë për Zhvillim”, në të cilën kanë marr pjesë përfaqësuese gra të organizatave dhe profesioneve të ndryshme.

Dhuna në familje dhe mungesa e gjinekologëve në lokalitete rurale të Kosovës ishin disa nga shqetësimet që u përmendën nga gratë në këtë tryeze.

Nazlie Bala, drejtuese e Sekretariatit të Gruas Aktiviste në Lëvizjen Vetëvendosje, tha se situatat me të cilat ballafaqohen gratë dhe vajzat në Kosovë, lë shumë për të dëshiruar.

“Mund të themi qe kemi progres por nuk guxon te na lë të  vetë kënaqemi. Ajo me çka ballafaqohen gratë, krijon hapësirë për veprim dhe zhvillim për situatën e grave në Kosovë”, tha ajo.

Ndërkaq, kryetari i VV-së, Albin Kurti tha se në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit, gratë në VV kanë garuar përkrah burrave dhe kanë fituar.

“Gratë kanë folur por pak janë dëgjuar e edhe më pak është punuar në to dhe për to. Ne kemi bërë hapa përpara por këta janë të pamjaftueshëm. Rreth 80 për qind e grave dhe vajzave sot nuk janë pjesë e tregut të punës fare, e kur kerkojnë punë gratë e kane tri herë më të vështirë se burrat që të gjejnë punë”, tha Kurti.

Në anën tjeter Xhejlane Lokaj, mami nga Dragashi tha se mungesa e gjinekologëve në komunën e saj është më se diskriminuese.

“Duhet të jetë prioritet kjo për gratë. Komuna e Dragashit nuk e ka asnjë grua mjeke. Në fshatra atje gratë u referohen gjinisë tjetër. Ne nu kkemi mamogram, nuk kemi radiolog. Zero ngado që t’ia nisim jemi”, tha ajo.

Lokaj shtoi se në problem tjetër në Dragash është dhuna në familje, duke shtuar se në këtë komunë nuk ka asnjë grua police e as çerdhe për fëmijë.