Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Gratë kandidate për asamblenë e Gjilanit tregojnë prioritetet e tyre

Kandidatet gra për asamblenë e Komunës së Gjilanit kanë treguar prioritetet e tyre për të cilat do të punojnë nëse do të arrijnë të sigurojnë ulëse në Kuvend Komunal.

Albulena Sylejmani nga Partia e Drejtësisë ka thënë se prioritet do të ketë arsimin dh shëndetësinë e po ashtu edhe punësimin e psikologëve klinik nëpër institucione arsimore.

“Prioritet do ta kem arsimin dhe shëndetësinë. Do të jem zë i grave dhe i të rinjve për depolitizimin e arsimit. Punësimi i psikologëve klinik në çdo shkollë fillore dhe të mesme të komunës, të ketë një Qendër Burimore për fëmijët me nevoja të veçanta. Shtimi i numrit të infermierëve dhe mjekëve në kujdesin parësor shëndetësor”, ka thënë Sylejmani.

Në anën tjetër Ardita Kozmaqi- Hasani nga Partia Demokratike e Kosovës tha se do të punojë që të krijojë çerdhe publike në këtë komunë.

“Si asambliste ardhshme do të jem zë i fuqishëm në propozime buxhetore si në shërbim të infrastrukturës, çerdhe, për rininë, si dhe investime në qendra integruese”

Arjeta Kastrati nga Vatra tha se do të punojë për gratë nga Lugina e që nuk kanë dokumentacion për shtetësinë kosovare.

“Unë si asamblistë e ardhshme do të jem zë i grave të komunës së Gjilanit, sidomos i atyre që nuk kanë shtetësi kosovare por që janë të martuara me burra nga Gjilani. Integrimi i shqiptarëve në Gjilan dhe zhvillimi i shkollave të informatikës”, tha Kastrati.

Diana Toska nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se do të punojë për kulturën gjilanase e po ashtu do të përpiqet që ky sektor të ketë buxhet dinjitoz.

“Do t’i shërbej zhvillimit kulturor dhe mirëqenies së përgjithshme. Përfaqësim i qytetarëve në Kuvendin Komunal. Angazhimin e projekteve në përputhje me rregulloret komunale, përcaktimi i një buxheti dinjitoz për kulturën, do të avokoj për fuqizimin e grave në politikë dhe vendimmarrje”, tha Toska.

Ndërkaq Kaltrina Fazliu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të punojë për shëndetësinë.

“Zëri im do të jetë shëndetësia, pacientët hasin në mungesë të penjve dhe shiringave. Pse të mos bëhet edhe analiza e CRP-së përderisa nevojitet investim shumë i vogël për këtë”, ka thënë Fazliu.

Edhe Krenare Latifi Kqiku nga Lëvizja Vetëvendosje tha se do të punojë për të mirën e qytetarëve të Gjilanit, sidomos në sektorin e ekonomisë.

“Unë zotohem para qytetarëve se do t’i mbroj interesat e tyre. Fokusi im si ekonomiste do të jetë zhvillimi ekonomik lokal dhe se buxheti do të ndahet barabartë në të gjitha lokalitetet e Gjilanit. Do të punojmë në rritjen e buxhetit në shëndetësi, arsim dhe bujqësi. Ne do ta funksionalizojmë grupin e grave joformal”, tha Latifi- Kqiku.

Edhe Zarife Asllani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se do të punojë për shëndetësinë e personat me aftësi ndryshe.

“Kryesisht problematikat sociale dhe shëndetësore. Të moshuarit nuk janë temë e prekur nga askush. Do të punoj edhe për personat me nevoja të veçanta dhe shërbimet mobile për ta”, tha Asllani.

Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Gjilanit diskutojnë në #DebatPernime për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.

Të ftuar në KallxoPernime janë kandidatët për kryetar të komunës së Gjilanit: Alban Hyseni nga LVV; Gani Neziri – kandidat i pavarur; Leonora Morina Bunjaku nga PDK; Lulzim Bexheti – kandidat i pavarur; Lutfi Haziri nga LDK dhe Nazim Gagica nga AAK.

Po ashtu, pjesë e debatit janë edhe shtatë kandidate për asambliste në Kuvendin Komunal të Gjilanit: Albulena Sylejmani nga PD; Arjeta Kastrati nga Vatra; Diana Toska nga LDK; Kaltrina Fazliu nga AKR; Krenare Latifi Kqiku nga LVV dhe Zarife Asllani nga AAK.

Debati transmetohet në orën 20:30 në RTV Dukagjini dhe drejtpërdrejt në Facebook të KALLXO.com.