Foto: Reuters
Gratë e Amerikës Latine përgatiten për marshime rekorde feministe
Miliona gra pritet të ‘pushtojnë’ rrugët nëpër Amerikën Latine të dielen me 8 mars për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Grave, kundër një sfondi të trazirave më të gjera sociale në rajon, raporton Reuters.
Ngjarja e këtij viti përkon me përpjekjet për të miratuar ligje për të ndëshkuar vrasjet e grave, legalizimin e abortit dhe për t’i dhënë grave një zë të barabartë në hartimin e një kushtetutë të re.
Të hënën, gratë po planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi duke mos shkuar në punë, në shkolla dhe universitete për të ilustruar se si do të dukej jeta publike pa to.
Në Kili, disa kanë bërë thirrje që burrat të bllokohen nga marshimet e planifikuara.
Demonstratat pritet të forcohen megjithatë nga pjesëmarrësit në protesta më të gjera kundër pabarazisë sociale që filluan në tetor dhe në kulmin e tyre përfshinin më shumë se një milion njerëz.
Një fokus i veçantë këtë vit do të jetë drejtësia për gratë e lënduara gjatë atyre protestave.
Sipas Institutit për të Drejtat e Njeriut të Kilit, 439 gra u plagosën. Kjo ka nxitur gjashtë ankesa kundër policisë për sulme seksuale.
Këtë javë, senatorët kilian miratuan një projektligj që synon t’u jepte grave përfaqësim të barabartë në hartimin e një kushtetute të re të mundshme dhe Presidenti i qendrës së djathtë të Kilit, Sebastian Pinera nënshkroi një ligj që forcon ndëshkimin për vrasjen e grave.
Javiera Arce, një shkencëtare politike në Universitetin e Valparaiso, vlerësoi se mund të shënohet dyfishi i numrit të pjesëmarrësve krahasuar me marshin e vitit të kaluar në Santiago, që sipas saj ishte 500 mijë.
“Unë nuk e di një grua të vetme që nuk do të marr pjesë”, tha ajo.
Gratë kolumbiane pritet të shënojnë ditën me ngjarje të organizuara rreth Bogota nga zyra e kryetares së re dhe të parë grua Claudia Lopez.
Protestat ka të ngjarë të përqendrohen në një vendim të Gjykatës Kushtetuese në fillim të kësaj jave, i cili mbështeti kufijtë e abortit në rastet e sulmeve seksuale, deformimit të fetusit ose rreziqeve të shëndetit të nënës.
Në Meksikë, ka plane për marshime të shumta dhe greva në protestë për atë që shumë mendojnë se janë përgjigje jo adekuate e autoriteteve ndaj dyfishimit të rasteve të vrasjes së grave në krahasim me pesë vjet më parë.
Javët e fundit, këto përfshijnë rrëmbimin dhe vrasjen e një vajze 7 vjeçare dhe vrasjen e rëndë të një gruaje 25 vjeçare.
Gratë argjentinase do të zhvillojnë një grevë të përgjithshme të hënën.
Qeveria e re e majtë e Presidentit Alberto Fernandez ka bërë të ditura planet për të krijuar një ministre për gratë dhe të mbështesë një përpjekje të re për të legalizuar abortin pasi përpjekjet e mëparshme u mundën në Kongres.
Përgatiti: Emirjeta Vllahiu