Grantet e Ministrisë së Bujqësisë dhe “shpërthimi” i ministrit Faton Peci

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka shpërthyer në akuza ndaj opozitës, pasi ditëve të fundit u raportua në media se vëllau i deputetes së Vetëvendojes, Fitore Pacolli, Blerimi, ka fituar një grant nga ministria që e drejton vetë ai.

Fillimisht, ishte anëtari i LDK-së, Egzon Pacolli i cili me 15.11.2024 përmes një video në Facebook, tha se kompania me emrin “Alda Farm Ria” ka marrë një grant në vlerë rreth 100 mijë euro. E pronari i kompanisë në fjalë, është vëllau i deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Pacolli i LDK-së në këtë video tha se kontrata për këtë grant është nënshkruar me datë 16.07.2024, katër ditë pasi që Blerim Pacolli kishte regjistruar biznesin e tij në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).

Në të njëjtën ditë, me 15.11.2024 reagoi ministri Peci duke thënë se ai “nuk vlerëson, nuk favorizon, nuk diskriminon”, si dhe “nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve”.

Përmes një postimi në Facebook, Peci tha se pas këtij pretendimi të LDK-së dhe partive tjera opozitare, Ministria e Bujqësisë do të ndajë të gjithë individët përfitues të granteve që kanë mandat dhe funksion politik.

“Kjo për t’ua bërë me dije se ne nuk diskriminojmë askënd për shkak të bindjeve politike dhe funksionit politik, sepse kjo është një praktikë e atyre që sot janë në opozitë dhe që nuk kanë mundur të fshehin milionat e vjedhur as nëpër tualete” – shkroi ai.

Tutje, ministri Peci gjithashtu shkruajti se me “qëllim të demantimit të këtyre lajmeve”, të hënën (18.11.2024), do të publikojë një listë të asamblistëve të LDK-së dhe partive të tjera, që sipas tij, që janë përfitues të programeve të Ministrisë së Bujqësisë.

“Përkundër dëshirës mirëpo me qëllim të demantimit të këtyre lajmeve, të hënën do të publikojmë një listë të asambleistëve të LDK-së dhe të partive të tjera që janë përfitues të programeve të ministrisë sonë, për të siguruar që procesi është transparent, i drejtë dhe mbi të gjitha meritor”.

Ndaj pretendimeve të LDK-së reagoi edhe vetë Blerim Pacolli, duke e mohuar që motra e tij, Fitorja, të ketë ndonjë ndikim në fitimin e grantit.

Ai tha se ka vite që merret me bujqësi dhe se këtë veprimtari, sipas tij, e ka filluar para se motra e tij të futet në politikë.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli tha se me vite ka kultivuar grurë dhe aronia, për të cilat kishte fituar edhe subvencione në Komunën e Prishtinës.

“Deri sot çdo gjë që e kam investuar në Kosovë, e kam bërë me financa të mia të cilat i kam përfituar duke punuar me djersë në Londër përgjatë 30 viteve në mërgim. Unë kam investuar në Kosovë sepse kam vendosur që bashkë me familjen të kthehem dhe kam punësuar punëtorë duke ndihmuar banorë të zonave ku kam edhe investimet” – ka shkruar Blerim Pacolli.

Ai e mohoi se vlera e grantit është 100 mijë euro, duke thënë se vlera e projektit arrin në atë shumë, ndërsa ministria do të mbulojë 65% të shumës, sipas tij, e 35% do të mbulojë vetë ai.

Në lidhje me pretendimin se biznesi i tij është regjistruar katër ditë para se ta nënshkruajë kontratën, Blerim Pacolli tha se si fermer nuk ka pasur biznes të regjistruar dhe se kriteri i grantit ka qenë që kur e fiton atë, me patjetër duhet të kesh biznes të regjistruar.

“Të gjithë ata që kanë kanë pak njohuri rreth granteve e dijnë që fillimisht kërkohet që të plotësohen kushtet e aplikimit, pastaj nëse e fiton grantin kërkohet regjistrimi i biznesit dhe në fund nënshkrimi i kontratës. Unë kam vepruar siç jam udhëzuar nga Ministria”.

Blerim Pacolli pretendoi se ka qenë i barabartë me fermerët e tjerë, pavarësisht se kë e ka vëlla apo motër.

“E kam fituar grantin sepse i kam plotësuar kriteret jo sepse e kam Fitoren motër. Dyshimet nuk mund t’ua hjeku unë e as nuk e kam ndërmend të tentoj ta bëjë një gjë të tillë” – shkroi ndër të tjera ai.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Blerim Pacollin përmes numrit që figuron në biznesin e regjistruar në ARBK, por në atë numër nuk u është përgjigjur askush, as thirrjeve telefonike e as mesazheve.

Ndaj akuzave të opozitës dhe raportimit të mediave, reagoi në Facebook edhe vetë deputetja Fitore Pacolli, duke paralajmëruar padi në gjykatë.

“Të gjithë ju gazetarë e analista ‘profesional’ që keni lakuar emrin tim do të shihemi në gjykatë për shpifjet dhe akuzat pa bazë” – shkroi ajo.

Në ndërkohë, të dielën me 17.11.2024, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) kërkoi që ministri Peci të shkarkohet nga pozita e tij, si dhe deputetja Fitore Pacolli të shkarkohet nga pozita e kryetares së Komisionit për Bujqësi në Kuvendin e Kosovës.

Anëtari i kryesisë së PDK, Arben Mustafa, në një konferencë për media tha se zbulimi i “skandalit” siç e ka quajtur ai, të përfitimit të grantit në vlerën rreth 100 mijë euro nga vëllau i deputetes Fitore Pacolli, përbën dëshmi, se si “zyrtarët më të lartë shtetërorë të këtij pushteti po i shfrytëzojnë dhe i shpërdorojnë institucionet publike për të përfituar ata dhe familjarët e ngushtë të tyre nga paratë e taksapaguesve të Kosovës”.

“Ky skandal nuk është aspak i rastësishëm sepse Fitore Pacolli është Kryetare e Komisionit Parlamentar për Bujqësi, komision të cilit i raporton Ministri i Bujqësisë, Faton Peci. Siç u dëshmua tani më, vëllai i deputetes Pacolli, biznesin e tij e kishte themeluar pas aplikimit për projekt dhe vetëm 4 ditë para nënshkrimit të kontratës, gjë që ngre dyshime të mëdha për montimin dhe orkestrimin e përfitimit të këtij projekti, për motive të cilat duhet të zbardhen nga insititucionet e drejtësisë” –  ka thënë Mustafa.

Pas kërkesës së PDK për shkarkim, reagoi përsëri ministri Faton Peci duke i quajtur PDK-në dhe LDK-në si “kriminela” dhe se tash e tutje do “t’i demaskoj si kurrë më parë”. Ai i ndërlidhi pretendimet ndaj tij, si sulm “pas suksesit në sektorin e bujqësisë”.

“Secili sulm i juaji është i kuptueshëm sepse suksesi në sektorin e bujqësisë e ndryshimi është aq radikal sa që vështirë është të përpihet nga ju! Bile ky ndryshim radikal ju tmerron sepse nuk mund ta imagjinoni që instalacioni kleptomaniak i qeverisjes suaj më nuk ekziston. Është përtej realitetit tuaj meritokracia si bazë e parim! Andaj, durim horra se nga nesër, çdo ditë do ta shpërfaqi pafytyrësinë e kriminalitetin tuaj me emra” – shkruajti ndër të tjera ministri Peci në Facebook.

Në anën tjetër, ka reaguar Kooperative Bujqësore “Krusha”, duke u shprehur të zhgënjyer me refuzimin për përfitim të grantit nga Ministria e Bujqësisë.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook Kooperativa “Krusha”, e cila drejtohet nga Fahrije Hoti, thanë se refuzimi u bë me arsyetimin se “mungonin dokumentet plotësuese lidhur me trajtimin e ujërave dhe përshkrimin teknologjik të procesit të prodhimit”.

“Dëshirojmë të theksojmë se thirrja për aplikim ishte e hapur gjatë vitit 2023, ndërsa vendimi për refuzimin e aplikimit tonë është kthyer në vitin 2024. Ky vonim në shqyrtim dhe dhënie të përgjigjes ndikon negativisht në planet dhe operacionet tona, duke dëmtuar mundësitë për zhvillim dhe investim”- thuhet në reagimin e tyre.

Kooperativa “Krusha” ka sqaruar se nuk kanë marr asnjë grant nga Ministria e Bujqësisë nga viti 2015.

Në lidhje me këtë reagim të Kooperativës “Krusha”, KALLXO.com kontaktoi me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci. Ai nuk iu përgjigj thirrjes telefonike, por dha një përgjigje përmes SMS-it. Ministri nuk komentoi direkt rastin, por kërkoi të drejtohemi tek këshilltarja e tij, Flutur Mustafa.

“Çka të doni krejt ju japim… Ne jemi libër i hapur” – u përgjigj ministri.

KALLXO.com përmes e-mailit me 17.11.2024 ka kërkuar qëndrim nga Ministria e Bujqësisë dhe zyrjarja në fjalë Flutur Mustafa, lidhur me pretendimet e KB “Krusha”, por deri në publikimin e këtij shkrimi, të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Po ashtu, në media është raportuar se përfitues i një granti të ngjashëm nga Ministria e Bujqësisë është edhe Naim Huruglica me biznesin e quajtur “Iron Consulting”, për të cilin mediat kanë pretenduar se është këshilltar i jashtëm i ministrit Faton Peci, gjë që nuk është arritur të konfirmohet nga Ministria.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë përmes telefonit me Huruglicën, por i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike, e as mesazheve.

Ndërkohë ka reaguar sërish deputetja Pacolli, duke thënë se “lufta hibride kundër qeverisë dhe shtetit tonë është intensifikuar si asnjëherë më parë”.

“Hienat janë organizuar në tufa dhe po bëjnë çmos që të sigurojnë se nuk do të mbesin pa “ushqim” edhe 4 vitet e ardhshme. Strategjia e hienave është se ato ndjekin në tufë prenë e tyre dhe bëjnë përpjekje maksimale për të lodhur gjahun e tyre. Sa më i palodhshëm gjahu i tyre aq më intenzive sulmet. Por, sa herë këto hiena sulmojnë Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin veç forcohet e rritet”, ka shkruar ajo.

Thirrja për grantet në fjalë ishte hapur në tetor të vitit 2023 dhe ishte e ndarë në katër kategori.

Kategoria e parë ishte për “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore”; kategoria tjetër ishte për “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”; kategoria e tretë ishte për “Diversifikimi i fermave dhe zhvillimi i bizneseve”; dhe kateogria e fundit “Zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal”.

Buxheti i planifikuar për tu shpenzuar për këto kategori ka qenë 24 milionë e 627 mijë euro. KALLXO.com ka kërkuar qasje në listën e përfituesve nga Ministria e Bujqësisë dhe është në pritje të përgjigjes.