Gramoz Vokrri flet për KALLXO.com pasi iu refuzua kandidatura e tij për të parin e FFK-së

Komisioni për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të Federatës së Futbollit të Kosovës ka vendosur që të refuzojë kandidaturën e Gramoz Vokrrit për të parin e FFK-së.

Në njoftimin e këtij Komisioni thuhet se kandidati Gramoz Vokrri ka deponuar 18 nënshkrime në momentin kur ka kandidaturën për të parin e FFK-së dhe se disa prej tyre janë kontestuese.

Në njoftim po ashtu thuhet se Komisioni pas 62 nënshkrimeve ka bërë verifikimin e fletënënshkrimve dhe verifikimin e delegatëve të ligjshëm dhe verifikimin e procedurave të tjera statutare dhe normative.

Pas verifikimit të nënshkrimeve është konstatuar që nënshkrimet e FC Prishtinës, KF Ulpiana 1926 dhe KF Kika kanë qenë kontestuese.

Por këtë e mohon Vokrri. Ai për KALLXO.com ka thënë që ai ka deponuar 16 nënshkrime e jo 18 siç po pretendohet nga ana e Komisionit për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të FFK-së.

“Unë i kam deponuar 16 nënshkrime, kopjen e kanë edhe mediumet, unë nuk i kam dorëzuar 18 nënshkrime, vetëm nëse e kanë shtuar ndonjë nënshkrim pa dijeninë time”, ka thënë Vokrri për KALLXO.com

Ai po ashtu ka thënë se ky vendim nuk përmban asnjë emër të ndonjë anëtari të Komisionit.

“Është interesant se ky vendim nuk përmban as emër apo mbiemër, nuk dihet po ashtu se kush është pjesë e komisionit”, ka thënë Vokrri.

Ai po ashtu ka thënë se e kundërshton këtë vendim dhe për hapat tjerë do të konsultohet me një jurist.

Më 16 mars Gramoz Vokrri edhe zyrtarisht deponoi 16 nënshkrime në garën për të parin e FFK-së.

Pas deponimit të 16-nënshkrimeve, Vokrri ishte shprehur se arsyeja se përse po garon për të parin e FFK-së është se shumica e klubeve nuk janë të kënaqur me gjendjen në të cilën ndodhet futbolli në Kosovë.

“Kemi një mbështetje kogja të madhe. Një mbështetje nga ana e klubeve që nuk janë të kënaqur me zhvillimet brenda institucionit, po dëshirojnë një frymë të re. Shpresoj që gara do të jetë korrekte dhe fer”, kishte deklaruar Vokrri pas dorëzimit të 16 nënshkrimve për të garuar për të parin e FFK-së.