Gramoz Ruçi, kreu i Kuvendit të Shqipërisë - Foto: Rtv21

Gramoz Ruçi deklaron largimin nga politika pas 30 vitesh

Në 30-vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste në Shqipëri gjatë kongresit të jashtëzakonshëm, Gramoz Ruçi ka deklauar largimin e tij nga politika.

Pas tre dekadash aktiv në politikë dhe në prag të 70-vjetorit, Ruçi tha se është koha për të qenë më pranë familjes, nipërve dhe mbesave, raporton Oranews.

Ndërsa falenderoi bashkëpunëtorët në rrugëtimin e tij politik ai premtoi se sa të ketë mendje dhe zemër do të mbetet një socialist i denjë.

Ruçi ka qenë edhe kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Më poshtë e gjenit të plotë deklarimin e Gramoz Ruçit:

Dua të bëj dhe një komunikim me ju. Kur unë nisa rrugëtimin tim të kësaj maratone të gjatë prej tre dekadash politike, 30 vjeçarët që janë në kërtë Kongres nuk kishin lindur akoma. Kur unë nisa këtë rrugëtim 5-vjeçarët e ’91 sot janë 35 vjeç që janë këtu, kur unë nisa këtë udhëtim 10 vjeçarët e ’91 sot janë 40 vjeç dhe ata janë me shumicë këtu, kur unë nisa udhëtimin tim adoleshtët 15 vjeçarë sot janë 45 vjeç dhe ata janë bërthama e PS.

Natyrshëm gjatë këtij mandati që po përfundojmë me jua ka bashkëjetuar një pyetje kur dhe ku unë Gramoz Ruçi do të deklaroj fundin e kësaj maratone time politike pasi çdo maratonë ka startin e nisjes dhe finishin e mbërritjes. Prandaj unë kam zgjedhur sot, nuk ka më mirë sesa 30-vjetori i PS, nuk ka mirë që sot që ne kemi fituar mandatin e tretë qeverisës, s’ka më mirë se pas disa muajsh unë kam dhe një përvjetor tjetër personal, 70 vjetorin e ditëlindjes time që të deklaroj këtu para jush se në 9 shtator që fillon legjislatura e re nuk do të ushtroj më mandatin që më ka dhënë PS dhe socialistët shqiptarë të qarkut të Fierit dhe se nuk do të kem ambicie për të qenë në asnjë organ të zgjedhur ekzekutiv të familjes sime që më ka dhënë kaq shumë në këto 30 vjet.

Më lejoni të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi që unë kam pasur fatin në këto 30 vjet, të falenderoj dhe njëherë Fatos Nanon dhe Edi Ramën që unë e kam pasur privilegj të jem bashkëpunëtorë i tyre i krahut të djathtë, të falenderoj me gjithë zemër çdo socialist nga Velipoja deri në Konispol se ata kanë qenë suporti dhe mbështetja e vërtetë për mua dhe tu kërkoj njëherësh ndjesë kujdo që mendon se unë gjatë 30 viteve nuk kam plotësuar pritshmëritë që ai ka pasur ndaj meje.

Të falenderoj, për hërë të parë dhe të fundit e bëj këtë, bashkëshorten time, djalin tim, të cilëve si çdo politikan por unë më shumë u kam krijuar shumë shqetësime në këto 30 vjet të jetës time politike. Ju garantoj të gjithëve se aq sa të më punojë mendja dhe zemra do të jem dhe do të mbetem një socialist i denjë, një familjar dhe mbi të gjitha një gjysh i përkryer për Mijën time, Herën time dhe Roin tim se jam tre herë gjysh.