Grafitet me mesazhe denigruese ndaj Fadil Gecit, platforma “Liria ka Emër”: Nuk merremi me denigrimin e askujt

Platforma “Liria ka emër” ka sqaruar se nuk ka të bëjë asgjë me asnjë lloj veprimtarie jozyrtare, e posaçërisht me grafitet të cilat janë shfaqur sot, më 25.10.2024, në Prishtinë.

Të premten paradite janë shfaqur në kryeqytet disa grafite me mesazhe denigruese kundër Fadil Gecit pas dëshmisë që ai e ka dhënë në Gjykatën Speciale.

Grafite denigruese në Prishtinë kundër Fadil Gecit pas dëshmisë në Hagë

Sipas platformës “Liria ka Emër”, ata merren vetëm me mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Veprimtaria e platformës “Liria Ka Emër” është një dhe e vetme: mbrojtja, respektimi dhe promovimi i vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Liria Ka Emër” nuk ka qëllime politike dhe nuk është paltformë e cila merret me denigrimin e askujt. Mbi të gjitha, e gjithë veprimtaria e platformës tonë është legale, publike dhe transparente” – thuhet në reagimin e “Liria ka emër” më 25.10.2024.

Si rrjedhojë, nga platforma “Liria ka emër” kërkojnë mirëkuptimin e secilit qytetar të Kosovës që ta mbajnë larg platformën nga diskursi, polemikat apo mosmarrëveshjet publike.

Ata madje i ftojnë organet e drejtësisë që të merren seriozisht me zbardhjen e këtij rasti sa më parë që është e mundur.

Grafitet u shfaqen në kryeqytet pasi Fadil Geci më 24.10.2024 e përfundoi dëshminë në Gjykatën Speciale në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.

“Shk*, i biri shki***” –  është shkruar në këto grafitë denigruese për Fadil Gecin.

Grafitet e tilla janë parë në sheshin e Prishtinës, e në afërsi të objektit të Ministrisë së Kulturës.

Geci për tri ditë me radhë dëshmoi në Gjykatën Speciale, duke pasur pretendime kryesisht rreth komunikatës 59 të UÇK-së.

Prokurori James Pace në fillim të ditës së parë të dëshmisë së Gecit bëri të ditur se dëshmia e dëshmitarit Fadil Geci përfshinë informacion që ka të bëjë me autorin e komunikatës 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të 1998-ës që etiketon vëllanë e tij, Gani Gecin, si bashkëpunëtor si dhe ndikimin negativ dhe pasojën që ka pasur kjo komunikatë mbi atë dhe mbi anëtarët e familjes dhe të tjerë.