Foto: Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist/ Facebook

Grafite pas arrestimit të profesorit të dyshuar për pedofili në Prizren

Disa mure të shkollave e hapësirave të tjera publike në qytetin e Prizrenit janë mbushur sonte me grafite pas arrestimit të një mësuesi të dyshuar për pedofili.

“Kjo shkollë është strehë e abuzuesve seksualë”, “Profa që të ngacmon e ka vendin në burg, e jo në shkollë”, Abuzuesit seksualë kanë emra! Ju njohim”, janë grafitet e shkruara nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Sipas tyre, këto grafite shprehin revoltën e tyre ndaj cenueshmërisë së vajzave dhe grave dhe kulturës së amnistimit të dhunës me bazë gjinore.

“Grafitet e shkruara sonte në mure shkollash e hapësira tjera publike në Prizren shprehin revoltën tonë ndaj cenueshmërisë së vajzave dhe grave dhe kulturës së amnistimit të dhunës me bazë gjinore. Dhuna ndaj vajzave e grave në shkolla, familje, punë e rrugë nuk është incident periferik, është sinjal i një sistemi të kalbur i cili mbahet përmes dhunës së gjinizuar”, thuhet në reagimin e tyre.

Tutje thuhet se ky rast, dhe rastet tjera të abuzimeve seksuale ndaj vajzave e grave janë alarm për sigurinë e tyre.

“Lajmet e fundit që zbulojnë një mësimdhënës pedofil, përveç tronditëse, po tregojnë çdo herë që dhuna ndaj vajzave e grave është duke ndodhur kudo e kurdo. Ky nuk është veç rast i pedofilisë por dhunë sistematike ndaj vajzave e grave që sillet rreth seksualizimit të trupit femëror. Ky është krim. Krim i cili nuk është i izoluar por paraqet rrezik të vazhdueshëm për secilën vajzë e grua në Kosovë”, thuhet në reagimin e kolektivit.

Nga Prizreni ne thërrasim për reagim kolektiv ndaj dhunës me bazë gjinore, ndëshkim për kriminelët e solidaritet me të gjitha vajzat e grate, thuhet tutje në reagim.

Foto: Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist/ Facebook
Foto: Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist/ Facebook
Foto: Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist/ Facebook

Policia e Kosovës e ka arrestuar sot profesorin F.K, për të cilin janë ngritur dyshime për pedofili gjatë një emisioni televiziv.

Prokuroria në Prizren njoftoi dje se ka filluar hetimet për rastin e profesorit që ishte bërë pjesë e hulumtimit të një emisioni në televizionin ‘ABC Neës’ nga Shqipëria nën dyshimin për pedofilizëm.

Fillimisht gjithmonë sipas emisionit, gazetarët kishin hapur një profil të rremë në rrjetin social Facebook, me të dhëna të rreme të një vajze kinse është 15 vjeçare dhe nga aty kishin rënë në kontakt me profesorin nga Prizreni.

Profesori F. K., sipas pamjeve të publikuara në emisionin e mbrëmshëm i kishte kërkuar vajzës takim dhe favore seksuale ndërsa përmes mesazheve zbulohet edhe biseda që është bërë për disa kohë përmes rrjeteve sociale.