Grafite denigruese në Prishtinë kundër Fadil Gecit pas dëshmisë në Hagë
Mëngjesin e sotëm, më 25.10.2024 janë shfaqur në Prishtinë disa grafite me mesazhe denigruese kundër Fadil Gecit.
Grafitet vijnë pasi Fadil Geci, para pak ditësh përfundoi dëshminë e tij tre ditore në në Gjykatën Speciale në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Rexhep Selimit, Kadri Veselit e Jakup Krasniqit.
“Shk*, i biri shki***” – është shkruar në këto grafitë denigruese për Fadil Gecin.
Grafitet e tilla janë parë në sheshin e Prishtinës, e në afërsi të objektit të Ministrisë së Kulturës.
Geci për tri ditë me radhë dëshmoi në Gjykatën Speciale, duke pasur pretendime kryesisht rreth “komunikatës 59” të UÇK-së.
Prokurori James Pace në fillim të ditës së parë të dëshmisë së Gecit, bëri të ditur se dëshmia e dëshmitarit Fadil Geci përfshinë informacion që ka të bëjë me autorin e komunikatës 59 të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në tetor të 1998-ës që etiketon vëllain e tij, Gani Gecin si bashkëpunëtor si dhe ndikimin negativ dhe pasojën që ka pas kjo komunikatë mbi atë dhe mbi anëtarët e familjes dhe të tjerë.
“Gjithashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me kërcënimet që i ka bërë Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, Tahir Zemajt dhe informacion lidhur me arrestimin, ndalimin dhe keqtrajtimin e përfaqësuesve të Asamblesë së Kosovës dhe të Kuvendit të Kosovës në ose përreth Qirezit në shtator të 1998-ës, si dhe arrestimin, ndalimin, vrasjen dhe keqtrajtimin e anëtarëve të UÇK-së dhe individëve të tjerë. Po ashtu, dëshmitari jep informacion lidhur me ndërveprimet, bashkëbisedimet apo njohuritë që kanë pasur anëtarët e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Sylejman Selimin dhe Samedin Xhezairin lidhur me këto ngjarje” – tha prokurori James Pace.
Në ditën e dytë të dëshmisë, Geci tha se LDK kishte deri në 800 mijë anëtarë të regjistruar në vitet e para të themelimit.
Ai gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari Gënel Metro foli për dallimet mes LDK-së dhe LPK-së. Sipas tij LPK-ja ishte një organizatë ilegale, ndërsa LDK e hapur. Dhe sipas tij, LPK e kishte orientimin në të majtë, një rrugë të cilën sipas tij, “nuk ia kishte parë hajrin askush”.
Çështja në këtë rast po drejtohet nga gjyqtarët Charls Smith III (kryesues), Christoph Barthe, Guénaël Mettraux dhe Fergal Gaynor.
Aktakuza fillestare kundër katër ish-eprorëve të UÇK-së u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Ndërkaq, Prokuroria ka propozuar mbi 300 dëshmitarë në këtë rast.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.